Titit 2

Mësimi i shëndoshë

Por ti mësoju të tjerëve ato që përkojnë me mësimin e shëndoshë.

Të moshuarit të jenë me mendje të kthjellët, të respektueshëm, të urtë, të fortë në besim, në dashuri e në durim.

Po ashtu, edhe të moshuarat të kenë një sjellje prej besimtareje, të mos jenë shpifëse e të mos bëhen skllave të verës së tepërt. Ato t’u mësojnë të rejave të mirën, duke i këshilluar me urti që të duan burrat dhe fëmijët e tyre, të jenë të urta, të dëlira, të zellshme në punët e shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që të mos shahet fjala e Perëndisë.

Po kështu këshillo të rinjtë të jenë të matur për çdo gjë.

Tregoje veten shembull të veprave të mira. Kur u mëson të tjerëve besimin, të jesh i sinqertë e me dinjitet. Përdor fjalët e duhura e që nuk kanë të sharë, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë asgjë të keqe për të thënë kundër nesh.

Skllevërit t’u nënshtrohen zotërinjve të tyre në gjithçka, të përpiqen t’u pëlqejnë atyre, të mos ua kthejnë fjalën 10 e të mos i vjedhin, por të tregohen tërësisht të mirëbesueshëm, që mësimi i Perëndisë, shpëtimtarit tonë, të zbukurohet në çdo gjë.

11 Hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq të gjithë njerëzve. 12 Ky hir na mëson të mohojmë jetën e mbrapshtë dhe dëshirat e liga të botës, të jetojmë me maturi, me drejtësi e të jemi të përkushtuar ndaj Perëndisë në këtë jetë, 13 duke pritur shpresën e lume dhe ardhjen e lavdisë së Perëndisë madhështor dhe shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. 14 Ai e dha veten për ne, që të na shpengojë nga çdo paudhësi dhe të na bëjë një popull të pastër për veten e tij dhe të zellshëm për vepra të mira.

15 Këto gjëra thuaju të tjerëve dhe këshillo e qorto me pushtet të plotë. Mos lejo njeri të të përçmojë.