Numrat 22

Balaku dhe Balaami

Izraelitët u nisën e fushuan në stepat e Moabit, përtej Jordanit kundruall Jerikosë. Balaku, biri i Ciporit, pa gjithçka që Izraeli u bëri amoritëve. Atëherë Moabin e kapi një frikë e madhe, se populli ishte i shumtë. Ai u tmerrua prej izraelitëve e u tha pleqve të Midianit: «Tashmë kjo turmë do të përlajë gjithçka përreth nesh siç përlan kau barin e fushës». Asokohe, Balaku, biri i Ciporit, ishte mbreti i Moabit. Ai dërgoi disa lajmëtarë te Balaami, biri i Beorit, në Petora, në vendlindjen e tij, që është buzë Eufratit, për ta ftuar e për t’i thënë: «Ja, ka dalë një popull nga Egjipti dhe ka mbuluar gjithçka që të kap syri e ka zënë vend përballë meje. Eja, pra, e mallkoma këtë popull, se është më i fortë se unë. Ndoshta kështu do të mund ta godas e ta dëboj nga toka, sepse e di se këdo që ti bekon është i bekuar dhe këdo që ti mallkon është i mallkuar».

Pleqtë e Moabit e të Midianit shkuan te Balaami me pagesën e shortarit në dorë e i thanë fjalët e Balakut. Atëherë Balaami u tha: «Rrini sonte këtu. Do t’ju kthej përgjigje si të më thotë Zoti». Prijësit e Moabit ndenjën me Balaamin. Perëndia erdhi te Balaami dhe e pyeti: «Ç’janë këta njerëz që janë me ty?». 10 Balaami i tha Perëndisë: «Balaku, biri i Ciporit, mbreti i Moabit, i ka dërguar tek unë për të më thënë: 11 “Ja, populli që doli nga Egjipti ka mbuluar gjithçka që të kap syri. Eja, pra, e mallkoma, se kështu ndoshta do të mund ta sulmoj e ta dëboj”». 12 Perëndia i tha Balaamit: «Mos shko me ta! Mos e mallko këtë popull, se është i bekuar». 13 Balaami u ngrit në mëngjes e u tha prijësve të Balakut: «Kthehuni në vendin tuaj, sepse Zoti nuk donte që të vija me ju». 14 Prijësit u ngritën, shkuan te Balaku e i thanë: «Balaami nuk deshi të vinte me ne».

15 Balaku dërgoi sërish disa prijës. Ata ishin më të shumtë e më të rëndësishëm se të parët. 16 Shkuan te Balaami e i thanë: «Kështu thotë Balaku, biri i Ciporit: “Mos ngurro të vish tek unë, 17 se do të të shpërblej mirë e do të bëj gjithçka që më kërkon. Eja, pra, e mallkoma këtë popull”». 18 Balaami iu përgjigj shërbëtorëve të Balakut: «Edhe sikur Balaku të më japë shtëpinë e tij plot me argjend e me ar, nuk mund t’i bëj bisht aspak fjalës së Zotit, Perëndisë tim. 19 Prandaj, rrini edhe ju sonte këtu, që të marr vesh se mos Zoti më thotë tjetër gjë». 20 Perëndia erdhi natën te Balaami e i tha: «Nëse këta njerëz kanë ardhur për të të ftuar, ngrihu e shko me ta, por do të bësh vetëm siç të them». 21 Kështu, Balaami u ngrit në mëngjes, shaloi gomaren e shkoi me prijësit e Moabit.

Gomarja e Balaamit

22 Perëndia u zemërua që Balaami ishte nisur. Engjëlli i Zotit zuri vend në rrugë që t’i kundërvihej. Balaami i kishte hipur gomares dhe me të ishin dy shërbëtorë. 23 Kur pa engjëllin e Zotit që kishte zënë vend në rrugë me shpatë zhveshur në dorë, gomarja e la rrugën e filloi të ecte në arë. Atëherë Balaami e rrahu gomaren që ta kthente në rrugë. 24 Pastaj engjëlli i Zotit qëndroi në një rrugicë mes vreshtave të rrethuara me ledhe nga të dyja anët. 25 Gomarja, kur pa engjëllin e Zotit, u ngjesh pas ledhit dhe Balaamit iu shtyp këmba. Kështu, ai e rrahu sërish. 26 Engjëlli i Zotit doli përsëri dhe qëndroi në një vend të ngushtë ku nuk mund të shmangej as djathtas, as majtas. 27 Gomarja, kur e pa engjëllin e Zotit, u shtri përtokë me Balaamin sipër saj. Ai u zemërua dhe e rrahu me shkop. 28 Atëherë Zoti ia hapi gojën gomares dhe ajo i tha Balaamit: «Çfarë të kam bërë që më rrahe tri herë?». 29 Balaami i tha gomares: «Sepse po luan me mua. Po ta kisha shpatën me vete do të të kisha vrarë me kohë». 30 Gomarja iu përgjigj: «A nuk jam unë gomarja jote që ke ngarë tërë jetën deri më sot? A të jam sjellë ndonjëherë kështu?». Ai tha: «Jo».

31 Atëherë Zoti ia çeli sytë Balaamit dhe ai e pa engjëllin e Zotit që kishte zënë vend në rrugë me shpatë zhveshur në dorë. Ai uli kryet e u përkul. 32 Engjëlli i Zotit i tha: «Përse e rrahe gomaren tënde tri herë. Isha unë që t’u kundërvura, sepse për mua kjo është rrugë pa krye. 33 Gomarja më pa e m’u shmang tri herë. Nëse nuk do të më shmangej, tashmë ty do të të kisha vrarë e atë do ta kisha lënë gjallë». 34 Balaami i tha engjëllit të Zotit: «Kam mëkatuar! Nuk e dija se ma kishe zënë ti rrugën. Nëse ky udhëtim është i lig për ty, do të kthehem». 35 Engjëlli i Zotit i tha Balaamit: «Shko me ta, por do të thuash vetëm fjalët që do të të them unë». Kështu, Balaami shkoi me princat e Balakut.

36 Balaku, kur dëgjoi se po vinte Balaami, doli për ta takuar në Ir Moab, në kufirin më të skajshëm me Arnonin. 37 Balaku i tha Balaamit: «A nuk të çova lajmëtarë për të të ftuar? Përse ngurrove të vije? A thua nuk jam në gjendje të ta shpërblej?». 38 Balaami iu përgjigj: «Ja, erdha, po a thua do të mund të flas si dua? Do të them vetëm fjalët që Perëndia do të më vërë në gojë». 39 Atëherë Balaami shkoi me Balakun dhe arritën në Kirjat Hucot. 40 Balaku flijoi qe e dhen dhe ua dërgoi Balaamit e prijësve që ishin me të.

41 Të nesërmen në mëngjes Balaku e mori Balaamin dhe e çoi në Bamot Baal. Prej andej, ai pa skajet e fushimit të popullit.