2 Kronikave 16

Lufta me mbretin e Izraelit

Në vitin e tridhjetë e gjashtë të mbretërimit të Asait, Bashai, mbreti i Izraelit, u nis për të sulmuar Judën dhe fortifikoi Ramahun, për të penguar lëvizjen e kujtdo që shkonte apo kthehej nga Asai, mbreti i Judës. Atëherë Asai mori argjend dhe ar nga thesaret e tempullit të Zotit dhe të pallatit mbretëror, ia dërgoi Ben Hadadit, mbretit të Aramit, i cili banonte në Damask, e i tha: «Le të bëjmë një besëlidhje mes nesh, ashtu siç kishin bërë im atë dhe yt atë. Për këtë të kam dërguar argjend dhe ar. Prishe, pra, besëlidhjen që ke bërë me Bashain, mbretin e Izraelit, që të tërhiqet nga trojet e mia». Ben Hadadi ia dëgjoi fjalën mbretit Asa dhe dërgoi krerët e ushtrisë së tij për të sulmuar qytetet e Izraelit. Ata pushtuan Ijonin, Danin, Abel Maimin dhe të gjitha qytetet ku grumbulloheshin tëmotjet e Neftaliut. Sapo mori vesh lajmin, Bashai e ndali ndërtimin e Ramahut dhe urdhëroi ndalimin e punimeve. Atëherë mbreti Asa thirri të gjithë banorët e Judës për të marrë nga Ramahu gurët dhe drurët, që kishte përdorur Bashai, dhe me to fortifikoi Gebën dhe Micpahun.

Në atë kohë, Hananiu, vegimtari, shkoi tek Asai, mbreti i Judës, e i tha: «Meqenëse kërkove mbështetje nga mbreti i Aramit dhe jo nga Zoti, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Aramit ka për të të ikur nga duart. A nuk kishin edhe kushitët me libianët një ushtri të madhe, me qerre lufte e me kalorës të panumërt? E megjithatë, Zoti t’i dorëzoi, sepse kërkove mbështetjen e tij. Sytë e Zotit vështrojnë mbarë tokën dhe ai u jep fuqi atyre që i përkushtohen me gjithë zemër. Këtë herë ke vepruar si i marrë dhe për këtë, që tani e tutje, do të kesh luftra». 10 Asai u zemërua shumë me vegimtarin dhe e futi në burg nga zemërimi për ato që i tha. Po në atë kohë, Asai u soll ashpër edhe me një pjesë të popullit.

11 Të gjitha bëmat e tjera të Asait, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës e të Izraelit. 12 Në vitin e tridhjetë e nëntë të mbretërimit të tij, Asai u sëmur nga këmbët. Megjithëse sëmundja ishte shumë e rëndë, ai nuk kërkoi ndihmën e Zotit, por të mjekëve. 13 Asai u preh me paraardhësit e tij dhe vdiq në vitin e dyzetë të mbretërimit të tij. 14 E varrosën në varrin që kishte latuar vetë në qytetin e Davidit dhe e vunë mbi një shtrojë të mbushur me aroma dhe me vajra erëmirë të përziera me shumë mjeshtëri. Për nder të tij, gjatë varrimit ndezën zjarre të mëdha.