Mjerimi i Jobit
1 «Por sot me mua tallen
më të rinjtë se unë,
etërit e tyre s’i vija
as me qentë e grigjës.
2 Ç’më duhet fuqia e duarve të tyre?
Vrullin ata e humbën.
3 Në skamje e uri,
ndër djerrina dhëmbët kruajnë,
ndër rrënojat e shkretimit.
4 Brejnë tagji e gjethe shkurresh,
ngrohen me rrënjë gjineshtre.
5 Njerëzit i dëbojnë nga shoqëria
e u bërtasin si të ishin kusarë.
6 Ata banojnë ndër shpate luginash,
në shpella dheu e ndër shkëmbinj.
7 Ulërijnë nëpër shkurre
e mblidhen nëpër hithra,
8 pjellë e marrëzisë e bij të askushit,
nga toka të dëbuar.
9 Me këngë tani më tallin
e përrallë për ta u bëra.
10 Neveriten prej meje, prej meje largohen
e në fytyrë më pështyjnë pa ngurrim.
11 Perëndia ma shkrehu harkun e më këputi
e ata nuk kanë më fre me mua.
12 Në të djathtë më ngrihet lukunia,
këmbëve më bëjnë t’ua mbath
e udhën e rrënimit ata më shtrojnë.
13 Rrugën ma presin,
rrënimin më kurdisin
e askush s’i ndal.
14 Vijnë si nga zgavra të gjera,
prej rrënojash rrëshqanë dalin.
15 Tmerri u soll kundër meje,
nderi porsi era më shtillet
e si reja shkoi begatia ime.
16 E tani shpirti po më fishket,
ditët e pikëllimit më kapluan.
17 Natën dhimbja kockat m’i ther
e brejtja s’më lë të qetë.
18 Më kap me forcë për petkash,
qafëzën e tunikës ma shtrëngon.
19 Në llucë më plandosi,
pluhur e hi u bëra.
20 Unë të thërras ty, por ti nuk përgjigjesh,
qëndroj para teje, por ti s’më përfill.
21 U bëre mizor me mua,
me dorë të rreptë më përndjek.
22 Më ngre kaluar në erë
e më përplas në stuhi.
23 E di se më çon drejt vdekjes,
në shtëpinë që për tërë të gjallët u caktua.
24 A nuk shtrihet dora pas rrënimit,
nëse lypet ndihmë në mjerim?
25 A nuk qava me ditëzinjtë?
A nuk m’u dhimbs në shpirt skamnori?
26 Prisja të mirën e më zuri e liga,
prisja dritën e më zuri terri.
27 Më ziejnë zorrët pa pushim
e ditë pikëllimi më mësyjnë.
28 Endem i ngrysur e s’ka diell për mua,
ngrihem në kuvend e thërras për ndihmë.
29 Vëlla me çakejtë u bëra
e shok me zogat e strucit.
30 Zi m’u bë lëkura e po më rripet
edhe vapa kockat po m’i djeg.
31 Për vajtim e kam lirën
e fyellin për zë gjëmëtarësh».