1 Mbretërve 8

Arka e Zotit çohet në tempull

Atëherë mbreti Solomon mblodhi në Jerusalem pleqësinë e Izraelit, të gjithë krerët e fiseve dhe prijësit e popullit të Izraelit, për të mbartur arkën e besëlidhjes së Zotit nga qyteti i Davidit, që është Sioni. Në muajin Etanim, që është muaji i shtatë, të gjithë izraelitët u mblodhën pranë mbretit Solomon për të kremten. Kur u mblodh e gjithë pleqësia e Izraelit, priftërinjtë ngritën arkën. Arkën e Zotit, tendën e takimit dhe të gjitha pajisjet e shenjta, që ishin në tendë, i mbartën priftërinjtë dhe levitët. Mbreti Solomon e mbarë bashkësia e Izraelit, që ishte mbledhur pranë tij, para arkës, kushtuan aq shumë dele e qe, sa nuk i numëroje dot. Priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Zotit në vendin e saj brenda shenjtërores, në shenjtëroren e shenjtëroreve, dhe e vendosën nën krahët e kerubëve. Kerubët i shtrinin krahët mbi vendin ku rrinte arka dhe mbulonin arkën e shufrat e saj. Shufrat ishin të gjata dhe majat e tyre dukeshin nga vendi i shenjtë, që ndodhet përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato janë aty edhe sot e kësaj dite. Brenda në arkë ndodheshin vetëm dy pllakat prej guri, të cilat i kishte futur Moisiu në malin Horeb, atje ku Zoti kishte bërë besëlidhjen me izraelitët, pas daljes nga Egjipti. 10 Kur priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, një re mbuloi tempullin e Zotit11 Priftërinjtë nuk mund të qëndronin më në tempull e të kryenin shërbesën për shkak të resë, se tempullin e Zotit e kishte mbushur lavdia e Zotit.

Fjala e Solomonit

12 Atëherë Solomoni tha: «Ti, o Zot, ke thënë se dëshiron të banosh në errësirë të thellë, 13 prandaj unë të ndërtova një tempull madhështor, një vend ku mund të banosh në amshim».

14 Pastaj mbreti u kthye nga bashkësia e Izraelit dhe e bekoi. Mbarë bashkësia e Izraelit qëndronte në këmbë. 15 Solomoni tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që përmbushi me fuqinë e tij premtimin që i bëri me gojën e vet Davidit, atit tim, kur tha: 16 “Që nga dita që e nxora Izraelin, popullin tim, nga Egjipti, nuk zgjodha asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një tempull për nder të emrit tim, por zgjodha Davidin për të sunduar mbi popullin tim, Izraelin”. 17 Davidi, ati im, e dëshironte me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. 18 Por Zoti i tha Davidit, atit tim: “Ti e dëshiron me gjithë zemër ndërtimin e një tempulli për nder të emrit tim dhe mirë bën, 19 veçse, tempullin për nder të emrit tim, nuk do ta ndërtosh ti, por biri yt, që do të dalë prej ijëve të tua”. 20 Zoti e plotësoi premtimin që bëri dhe, ashtu siç tha Zoti, në vend të Davidit, atit tim, në fronin e Izraelit u ula unë dhe ndërtova tempullin për nder të emrit të Zotit, Perëndisë së Izraelit. 21 Aty caktova një vend për arkën, brenda së cilës ndodhet besëlidhja që bëri Zoti me paraardhësit tanë, kur i nxori nga toka e Egjiptit».

Lutja e Solomonit

22 Atëherë Solomoni qëndroi përpara altarit të Zotit në prani të mbarë bashkësisë së Izraelit, ngriti duart drejt qiellit, 23 e tha: «O Zot, Perëndi i Izraelit, nuk ka tjetër perëndi si ti as lart në qiell e as poshtë në tokë, ti që i qëndron besnik besëlidhjes që ke bërë me shërbëtorët e tu, kur ata ecin para teje me gjithë zemër, 24 ti që i mbajte premtimet që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim. Ato që premtove me gojën tënde, i përmbushe me dorën tënde, e ashtu po bën edhe sot. 25 E tani, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim, kur i the: “Nuk do t’ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit, vetëm nëse ata do të kenë kujdes të ecin para meje ashtu si ti”. 26 Prandaj, o Perëndi i Izraelit, le të plotësohet premtimi që i bëre shërbëtorit tënd, Davidit, atit tim.

27 Por, a mund të banosh vërtet mbi tokë, o Perëndi? Ja, ty nuk të nxënë as qiejt e qiejve e aq më pak ky tempull që ta ndërtova unë! 28 Vëri, pra, vesh lutjes së shërbëtorit tënd e përgjërimit të tij, o Zot, Perëndia im! Dëgjoje thirrjen e lutjen që shërbëtori yt po të drejton sot! 29 Sytë e tu qëndrofshin hapur e pafshin nga ky tempull natë e ditë, nga ky vend për të cilin the: “Aty do të jetë emri im!”. Dëgjoje lutjen që shërbëtori yt po të drejton prej këtij vendi! 30 Dëgjoje përgjërimin e shërbëtorit tënd e të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të lutet drejt këtij vendi! Dëgjoje prej vendit ku banon në qiej! Dëgjona e përdëllena!

31 Kur dikush mëkaton kundër të afërtit e i kërkohet të betohet për pafajësinë e tij dhe ai vjen për t’u betuar përpara altarit tënd në këtë tempull, 32 dëgjoje prej qiellit, vepro dhe gjykoji shërbëtorët e tu. Dënoje të paudhin, që e keqja t’i bjerë mbi kokë vetë atij, shpalle të pafajshëm të pafajshmin dhe shpërbleje sipas drejtësisë së tij.

33 Kur Izraeli, populli yt, të mposhtet para armikut, për shkak se do të ketë mëkatuar kundër teje, por më pas kthehet te ti, duke përlëvduar emrin tënd, duke t’u lutur e duke t’u përgjëruar në këtë tempull, 34 dëgjoje prej qiellit, falja mëkatin e ktheje në vendin që u ke dhënë paraardhësve të tij.

35 Kur të ndryhet qielli e të mos bjerë më shi, për shkak se izraelitët do të kenë mëkatuar kundër teje, por më pas luten drejt këtij vendi, duke përlëvduar emrin tënd e duke u penduar për mëkatet e tyre, për shkak të ndëshkimit tënd, 36 dëgjoji prej qiellit e fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd, Izraelit, mësoju udhën e së mirës, nëpër të cilën duhet të ecin, dhe jepi shi tokës sate, tokës që ia dhe për trashëgim popullit tënd.

37 Nëse vendin e godet zia e bukës apo murtaja, nëse e ha vrugu, myku, karkaleci apo vemja, nëse e rrethon armiku nga të gjitha anët, nëse mbi të bien çfarëdolloj plagësh e sëmundjesh, 38 dhe nëse çdo njeri apo mbarë populli yt, Izraeli, të lutet e të përgjërohet, duke lartësuar duart drejt këtij tempulli, për shkak të plagës që ka në zemër, 39 dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon, fal, vepro e jepi secilit sipas sjelljes së tij, se ti ia njeh zemrën dhe vetëm ti e njeh zemrën e çdo njeriu. 40 Kështu, ty do të të druajnë të gjithë sa të jenë gjallë mbi tokën që u dhe paraardhësve të tyre.

41 Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd, Izraelit, nëse vjen nga një vend i largët për hir të emrit tënd, 42 që të lutet drejt këtij tempulli, për shkak se ka dëgjuar për emrin tënd të madhërishëm, për dorën tënde të fuqishme e për krahun tënd të gjithëpushtetshëm, 43 dëgjoje prej qiellit, prej vendit ku banon dhe plotësoja të gjitha kërkesat që të bën. Kështu, të gjithë popujt e botës do ta njohin emrin tënd, do të të druajnë, siç të druan populli yt Izrael, dhe do ta dinë se emri yt thirret në këtë tempull që të ndërtova unë.

44 Nëse populli yt del për të luftuar kundër armiqve, atje ku ta kesh urdhëruar, nëse të lutet ty, o Zot, duke u drejtuar nga qyteti që ke zgjedhur ti dhe nga tempulli që kam ndërtuar unë për nder të emrit tënd, 45 dëgjoja lutjen dhe përgjërimin nga qielli e bëj që të ngadhënjejë e drejta e tij.

46 Nëse mëkatojnë kundër teje, sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton, e ti, i zemëruar me ta, i dorëzon tek armiqtë, që i marrin robër e i degdisin në vende armike të largëta a të afërta, 47 por nëse pendohen në vendin ku janë marrë robër, kthehen me gjithë zemër te ti e të përgjërohen duke thënë: “Kemi mëkatuar, kemi bërë ligësi e paudhësi”, 48 nëse kthehen, pra, te ti, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, atje në vendin ku i kanë robëruar armiqtë, e të luten duke u drejtuar për nga vendi i paraardhësve të tyre, për nga qyteti yt i zgjedhur dhe për nga tempulli që kam ndërtuar për nder të emrit tënd, 49 dëgjoji lutjet dhe përgjërimet e tyre prej qiellit, prej vendit ku banon, e bëj të ngadhënjejë e drejta e tyre. 50 Falja popullit tënd, që ka mëkatuar kundër teje, të gjitha shkeljet që ka bërë kundër teje e bëj që armiqtë të tregohen të mëshirshëm e të kenë dhembshuri për të, 51 sepse është populli yt dhe trashëgimia jote, janë ata që ti i nxore nga Egjipti, nga shkritorja e hekurit. 52 Mbaji sytë hapur dhe dëgjoji përgjërimet dhe lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd, Izraelit, sa herë që të thërrasin, 53 Zot, Perëndi, sepse ti i zgjodhe mes gjithë popujve të tokës për të qenë trashëgimia jote, ashtu siç the përmes Moisiut, shërbëtorit tënd, kur i nxore paraardhësit tanë nga Egjipti».

54 Kur mbaroi së drejtuari Zotit të gjitha këto lutje e përgjërime, Solomoni u ngrit më këmbë para altarit të Zotit, ku ishte gjunjëzuar me duart e ngritura drejt qiellit, 55 bekoi bashkësinë e Izraelit me zë të lartë e tha: 56 «Bekuar qoftë Zoti që i dha prehje popullit të tij, Izraelit, ashtu siç kishte premtuar. Asnjë nga premtimet e mira, që bëri përmes Moisiut, shërbëtorit të tij, nuk mbeti pa u përmbushur. 57 Zoti, Perëndia ynë, qoftë me ne, ashtu siç ka qenë me paraardhësit tanë. Mos na braktistë e mos na lëntë, 58 por na i prirtë zemrat drejt tij, që të ecim në udhët e tij e që të mbajmë urdhërimet, rregullat e vendimet që ai u urdhëroi etërve tanë. 59 Zoti, Perëndia ynë, i kujtoftë ditë e natë fjalët e përgjërimeve që bëra para Zotit, që e drejta e shërbëtorit të tij dhe e popullit të tij, Izraelit, të ngadhënjejë ditë pas dite. 60 Kështu, të gjithë popujt e tokës do ta dinë se Zoti është Perëndia dhe se nuk ka tjetër. 61 Zemra juaj iu përkushtoftë plotësisht Zotit, Perëndisë tonë, që të ecni sipas rregullave të tij e të mbani urdhërimet e tij, ashtu si sot».

Flitë për kushtimin e tempullit

62 Pastaj, mbreti e mbarë Izraeli bashkë me të, kushtuan fli para Zotit63 Solomoni i kushtoi Zotit si fli paqtimi njëzet e dy mijë qe dhe njëqind e njëzet mijë dhen. Kështu, mbreti dhe të gjithë izraelitët ia kushtuan tempullin Zotit64 Po atë ditë, mbreti shenjtëroi qendrën e tremes, që ndodhej përpara tempullit të Zotit. Atje kushtoi flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhej para Zotit, ishte tepër i vogël për të nxënë flinë e shkrumbimit, flinë e drithit dhe dhjamin e flive të paqtimit.

65 Në atë kohë Solomoni dhe e gjithë bashkësia e madhe e izraelitëve, që kishin ardhur nga Lebo Hamati e deri nga përroi i Egjiptit, bënë një festë para Zotit, Perëndisë tonë. Kremtimet zgjatën shtatë ditëc66 Ditën e tetë mbreti e la popullin të shkonte. Izraelitët e bekuan mbretin dhe u kthyen nëpër tendat e veta të kënaqur e me gëzim në zemër për të gjitha të mirat që Zoti i kishte dhënë shërbëtorit të tij, Davidit, dhe Izraelit, popullit të vet.


 c8.65 he. edhe shtatë ditë të tjera, gjithsej katërmbëdhjetë ditë