Hebrenjtë në Egjipt
1 Fjala iu drejtua Jeremisë për të gjithë judenjtë, që banonin në dheun e Egjiptit, në Migdol, në Tahpanhes, në Memfis e në dheun e Patrosit, e i tha: 2 «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ju e patë tërë zezonën që çova kundër Jerusalemit e kundër të gjitha qyteteve të Judës. Ja, sot janë të shkretuara e pa banorë, 3 për shkak të ligësisë që kryen, për të më zemëruar, duke shkuar për t’u kushtuar temjan e për t’u shërbyer perëndive të tjerë, që nuk i njihnit as ju, as etërit tuaj. 4 Unë ju kam dërguar pareshtur të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, për t’ju thënë: mos e bëni këtë pështirësi, që unë e urrej, 5 por ata nuk më dëgjuan e nuk ma vunë veshin për të hequr dorë nga ligësia e tyre e për të mos u kushtuar temjan perëndive të tjerë. 6 Prandaj, zemërimi im e hidhërimi im u zbrazën e u ndezën në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, që u shkatërruan e u shkretuan, siç janë edhe sot. 7 Prandaj, kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: pse po e kryeni këtë ligësi të madhe kundër vetes suaj, sa të zhbihen prej jush burri e gruaja, fëmija e foshnja, e të mos mbesë prej jush një tepricë? 8 Pse më zemëroni me veprat e duarve tuaja, duke u kushtuar temjan perëndive të huaj në dheun e Egjiptit, ku keni ardhur për të banuar, që të zhbiheni e të bëheni mallkim e tallje mes të gjitha kombeve të dheut? 9 A i keni harruar ligësitë e etërve tuaj, ligësitë e mbretërve të Judës, ligësitë e prijësve tuaj, ligësitë tuaja e të grave tuaja, që kryet në dheun e Judës e në rrugët e Jerusalemit? 10 Nuk janë penduar deri më sot, nuk janë druajtur e nuk kanë ecur sipas ligjit tim e rregullave të mia që ju parashtrova juve dhe etërve tuaj.
11 Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, po kthej fytyrën kundër jush për keq e për ta zhbirë tërë Judën. 12 Do ta marr tepricën e Judës, që vendosi të vinte e të banonte në dheun e Egjiptit, do të marrin fund të gjithë në dheun e Egjiptit, do të bien prej shpatës e prej urisë do të marrin fund që nga më i vogli te më i madhi. Prej shpatës e prej urisë do të vdesin e do të bëhen mallkim, tmerr, nëmë e tallje. 13 Do t’i ndëshkoj ata që banojnë në dheun e Egjiptit, siç ndëshkova Jerusalemin, me shpatë, me uri e me murtajë. 14 Nuk do të shpëtojë as do të ikë askush nga teprica e Judës që ka ardhur për të banuar në dheun e Egjiptit për t’u kthyer në dheun e Judës, ku dëshirojnë të kthehen për të banuar. Nuk do të kthehen, përveç disa të ikurve».
15 Atëherë të gjithë burrat që e dinin se gratë e tyre u kishin kushtuar temjan perëndive të tjerë dhe të gjitha gratë e pranishme, pra një bashkësi e madhe, dhe mbarë populli që banonte në Patros, në dheun e Egjiptit, u përgjigjën: 16 «Për fjalën që the në emër të Zotit ne nuk do të të dëgjojmë, 17 por do të bëjmë gjithçka kemi premtuar, do t’i kushtojmë temjan mbretëreshës së qiejve e do të kushtojmë fli stërpikjeje, siç kemi bërë ne dhe etërit tanë, mbretërit e prijësit tanë në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit, se qemë të nginjur me ushqim, patëm begati e nuk pamë asnjë fatkeqësi. 18 Që kur nuk i kushtojmë më temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit, na ka munguar gjithçka e morëm fund prej shpatës e prej urisë». 19 Ndërsa gratë thanë: «Kur i kushtojmë temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit, mos vallë pa burrat tanë ia bëjmë kuleçtë, sipas shëmbëllimit të saj, dhe i kushtojmë fli stërpikjeje?».
20 Jeremia i tha mbarë popullit, burrave, grave e të gjithë popullit që i kishte kthyer përgjigje: 21 «A nuk e kujton dhe a nuk e mban mend Zoti temjanin që kushtuat në qytetet e Judës e nëpër rrugët e Jerusalemit ju dhe etërit tuaj, mbretërit, prijësit tuaj e mbarë populli i vendit? 22 Zoti nuk mund t’i duronte më veprat tuaja të liga dhe pështirësitë që kryet, prandaj toka juaj u bë shkretim, tmerr, nëmë e pa banorë, siç është edhe sot. 23 Ju kushtuat temjan e mëkatuat kundër Zotit, nuk e dëgjuat zërin e Zotit dhe nuk ecët sipas ligjit të tij, sipas rregullave të tij dhe dëshmive të tij, prandaj ju ra kjo zezonë, siç është edhe sot».
24 Pastaj Jeremia i tha mbarë popullit dhe të gjitha grave: «Dëgjojeni fjalën e Zotit të gjithë ju judenjtë që jeni në Egjipt. 25 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ju dhe gratë tuaja e keni shpallur me gojën tuaj dhe e keni zbatuar me duart tuaja, çfarë kishit thënë: “Ne do t’i përmbushim të gjitha zotimet që kemi bërë, për t’i kushtuar temjan e fli stërpikjeje mbretëreshës së qiellit”. Kryejini zotimet tuaja e zbatojini zotimet tuaja. 26 Megjithatë, dëgjojeni fjalën e Zotit, të gjithë ju judenj që banoni në dheun e Egjiptit. Ja, betohem për emrin tim të madh, thotë Zoti, se emri im nuk do të thirret më në dheun e Egjiptit nga goja e asnjë judeu që thotë: “Pasha Zotin, Zotin tim!”. 27 Ja, do t’i këqyr për keq e jo për mirë. Secili jude, që është në dheun e Egjiptit, do të goditet me shpatë e me uri, deri në shfarosje. 28 Të shpëtuarit nga shpata do të kthehen nga dheu i Egjiptit në dheun e Judës, të paktë në numër, ndërsa mbarë teprica e Judës, që shkoi të banojë në dheun e Egjiptit, do ta marrë vesh cila fjalë do të mbahet, e imja apo e tyrja. 29 Kjo do të jetë për ju shenja, kumton Zoti, se unë do ta ndëshkoj këtë vend, që ta merrni vesh se fjalët e mia do të mbahen për të keqen tuaj. 30 Kështu thotë Zoti: ja, do ta lë faraonin Hofra, mbretin e Egjiptit, në dorë të armiqve të tij dhe të atyre që duan t’ia marrin shpirtin, siç lashë Sedekinë, mbretin e Judës, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, armikut të tij, që donte t’ia merrte shpirtin».