2 Timoteut 4

Po të përbetoj para Perëndisë dhe Krishtit Jezu, që do të gjykojë të gjallët e të vdekurit kur të vijë e të mbretërojë: prediko fjalën e Perëndisë me këmbëngulje e në çdo kohë, ndreq, qorto e këshillo duke i mësuar të tjerët me shumë durim. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por sipas dëshirave të tyre do të mbledhin rreth vetes mësues që iu gudulisin veshët. Ata nuk do t’i vënë vesh të vërtetës e do t’u kthehen përrallave. Por ti ji me mendje të kthjellët për çdo gjë, duro vuajtjen, kryeje punën e ungjilltarit dhe përmbushe shërbesën tënde.

Ndërsa unë tashmë po derdhem si pija që i kushtohet Perëndisë për flijim dhe koha e lamtumirës sime erdhi. Luftën e mirë e luftova, garën e përfundova dhe besimin e ruajta. Pas kësaj më pret kurora e drejtësisë, që Zoti, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë dhe jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që kanë pritur me dashuri ardhjen e tij.

Porosi vetjake

Nxito të vish sa më parë tek unë, 10 sepse Dema, duke dashur këtë botë, më braktisi e iku në Selanik. Kreski shkoi në Galati, ndërsa Titi në Dalmaci. 11 Vetëm Luka është me mua. Merre edhe Markun me vete, se ai është i dobishëm për shërbesën time. 12 Tikikun e dërgova në Efes. 13 Kur të vish, më sill gunën që i lashë Karpit në Troadë dhe librat, sidomos pergamenat.

14 Aleksandri, bakërpunuesi, më bëri shumë të këqija; Zoti do t’ia shpërblejë sipas veprave të tij. 15 Ruaju edhe ti prej tij, sepse ai i kundërshtoi fort fjalët tona.

16 Në mbrojtjen time të parë asnjeri nuk më përkrahu, por të gjithë më braktisën. Kjo mos iu numëroftë për faj! 17 Por Zoti qëndroi me mua e më forcoi, që përmes meje predikimi të kryhej plotësisht dhe të dëgjonin të gjitha kombet. Kështu i shpëtova gojës së luanit. 18 Zoti do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë e do të më shpëtojë për të më çuar në mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij, në shekuj të shekujve! Amen!

Përshëndetjet e fundit

19 Të fala Priskës e Akuilit dhe atyre të shtëpisë së Onesiforit.

20 Erasti mbeti në Korint, ndërsa Trofimin e lashë të sëmurë në Milet.

21 Nxito të vish para dimrit.

Të bëjnë të fala Eubuli, Pudi, Lini, Klaudia dhe të gjithë vëllezërit.

22 Zoti qoftë me shpirtin tënd! Hiri qoftë me ju!