1 Përderisa premtimi për të hyrë në prehjen e Perëndisë vazhdon të jetë i vlefshëm, le të kemi frikë se mos ndonjëri nga ju mbetet jashtë. 2 Edhe ne e kemi dëgjuar ungjillin, sikurse edhe ata që ishin në shkretëtirë, por atyre nuk u vlejti fjala që dëgjuan, pasi nuk e dëgjuan me besim. 3 Ne që besuam do të hyjmë në prehjen e Perëndisë, për të cilën ai ka thënë:
dhe kështu u përbetova në zemërimin tim:
nuk kanë për të hyrë
në prehjen time.
Ai e tha këtë, ndonëse veprat e tij kishin përfunduar që me krijimin e botës. 4 Ndërsa për ditën e shtatë ka thënë diku: Perëndia pushoi ditën e shtatë, pasi i kreu të gjitha veprat e tij. 5 Po për të njëjtën gjë shton: nuk kanë për të hyrë në prehjen time. 6 Ata që e dëgjuan në fillim ungjillin nuk hynë në prehjen e Perëndisë për shkak të mosbindjes. Por, meqenëse mbeten edhe të tjerë për të hyrë në të, 7 Perëndia caktoi përsëri një ditë të quajtur «sot», kur thotë pas kaq kohe nëpërmjet Davidit:
sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
mos i ngurtësoni zemrat tuaja.
8 Pra, nëse Jozuehu do ta kishte çuar popullin në prehje, atëherë Perëndia nuk do të fliste më për një ditë tjetër. 9 Kështu, për popullin e Perëndisë është ende e mundshme një ditë prehjeje si e shtuna e prehjes së Perëndisë. 10 Ai që hyn në prehjen e Perëndisë do të pushojë së bëri veprat e veta, ashtu siç bëri edhe Perëndia. 11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në këtë prehje, që të mos bjerë ndokush në të njëjtin shembull të mosbindjes.
12 Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e frymës së jetës nga shpirti, të kockës nga palca. Ajo shqyrton mendimet dhe qëllimet e zemrës. 13 Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Perëndisë, por të gjitha janë të zhveshura dhe të zbuluara në sytë e atij të cilit do t’i japim llogari.
Jezui, kryeprifti i madh
14 Le ta mbajmë, pra, fort besimin që shpallim, sepse kemi një kryeprift të madh që shkoi deri në qiej, Jezuin, Birin e Perëndisë. 15 Ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë me ne për dobësitë tona. Përkundrazi, ai u tundua në gjithçka ashtu si ne, por nuk mëkatoi. 16 Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje.