Lavirja e madhe dhe bisha
1 Pastaj, njëri nga shtatë engjëjt që mbanin shtatë kupat erdhi e më tha: «Eja të të tregoj gjykimin e lavires së madhe, që shtrihet përgjatë ujërave të shumtë. 2 Me të kurvëruan mbretërit e tokës dhe nga vera e kurvërisë së saj u dehën banorët e tokës».
3 Dhe më çoi në shkretëtirë, rrëmbyer nga Shpirti. Atje pashë një grua që rrinte ulur mbi një bishë të kuqe plot me emra fyes. Bisha kishte shtatë kokë e dhjetë brirë. 4 Gruaja ishte veshur me të purpura e të kuqe, e zbukuruar me ar, gurë të çmuar e margaritarë. Në dorë mbante një kupë të artë mbushur me fëlliqësitë dhe ndyrësitë e kurvërisë së saj. 5 Mbi ballë kishte të shkruar një emër me kuptim të fshehtë «Babilonia e madhe, nëna e lavireve dhe e fëlliqësive të dheut». 6 Pastaj pashë gruan që ishte dehur me gjakun e të shenjtëve dhe dëshmorëve të Jezuit.
Kur e pashë, shtanga nga habia e madhe. 7 Atëherë engjëlli më tha: «Përse habitesh? Unë do të të tregoj të fshehtën e gruas dhe të bishës me shtatë kokë e dhjetë brirë që e mban gruan. 8 Bisha që pe, jetonte, por nuk jeton më. Ajo do të dalë nga humnera dhe do të shkojë drejt shkatërrimit. Banorët e tokës, që nuk e kanë të shkruar emrin në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të mrekullohen duke parë bishën që jetonte dhe nuk jeton më, por që do të vijë përsëri.
9 Këtu duhet mendje e urtë! Shtatë kokët janë shtatë kodra mbi të cilat rri ulur gruaja. Janë edhe shtatë mbretërit. 10 Pesë prej tyre ranë. Njëri është këtu, ndërsa tjetri nuk ka ardhur ende, por kur të vijë, duhet të qëndrojë për pak kohë.
11 Bisha që jetonte dhe nuk jeton më, është mbreti i tetë, por është edhe një nga të shtatët dhe shkon drejt shkatërrimit.
12 Dhjetë brirët që pe janë dhjetë mbretër, që nuk kanë filluar ende të mbretërojnë. Ata do ta marrin pushtetin si mbretër vetëm për një orë bashkë me bishën. 13 Ata do të jenë në një mendje: fuqinë dhe pushtetin e tyre do t’ia japin bishës. 14 Ata do të luftojnë me Qengjin, por Qengji do t’i mposhtë, sepse është Zoti i zotërve dhe Mbreti i mbretërve. Me të do të fitojnë edhe ata që janë të thirrur, të zgjedhur e besimtarë».
15 Pastaj më tha: «Ujërat që pe, ku rri ulur lavirja, janë popuj, turma, kombe e gjuhë. 16 Dhjetë brirët që pe dhe bisha do ta urrejnë laviren dhe do ta shkretojnë, do ta zhveshin, do t’ia hanë mishin me dhëmbë dhe do ta djegin në zjarr. 17 Sepse Perëndia u dha në zemër të vepronin sipas mendimit të tij, të ishin në një mendje dhe t’ia jepnin mbretërinë e tyre bishës, derisa të plotësoheshin fjalët e Perëndisë.
18 Gruaja që pe është qyteti i madh që sundon mbi mbretërit e tokës».