Estera 2

Estera mbretëreshë

Pas këtyre ngjarjeve, pasi mbretit Kserks i kishte kaluar zemërimi, i ra ndër mend për Vashtin, sesi kishte vepruar ajo e ç’vendim ishte marrë kundër saj. Atëherë shërbëtorët e mbretit, që kujdeseshin për të, thanë: «Të kërkohen për mbretin vasha me pamje të hijshme e mbreti të caktojë porositës në të gjitha krahinat e mbretërisë së vet, për t’i mbledhur të gjitha vashat me pamje të hijshme në kështjellën e Shushanit, në shtëpinë e grave, nën mbikëqyrjen e Hegait, eunukut të mbretit, që kujdeset për gratë dhe ai do t’u japë të lahen. Ajo vajzë, që do t’i pëlqejë mbretit, do të mbretërojë në vend të Vashtit». Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe ashtu veproi.

Në kështjellën e Shushanit ishte një jude me emrin Mordakai, që ishte biri i Jairit, të birit të Shimeit, të birit të Kishit, nga fisi i Benjaminit. Ai ishte larguar nga Jerusalemi me ata që ishin dëbuar me Jehoninë, mbretin e Judës, nga Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Kishte rritur Hadasanë, domethënë Esterën, bijën e të ungjit, që kishte mbetur pa të atin e pa të ëmën. Vajza kishte tipare të bukura dhe ishte e hijshme për t’u parë. Mordakai e kishte marrë për bijë, pasi asaj i kishin vdekur i ati dhe e ëma.

Kur doli urdhri i mbretit dhe vendimi i tij e kur në kështjellën e Shushanit u mblodhën shumë vajza nën mbikëqyrjen e Hegait, sollën edhe Esterën në shtëpinë e mbretit, nën mbikëqyrjen e Hegait, kujdestarit të grave. Vajza i pëlqeu e iu duk e këndshme, prandaj nxitoi t’i jepte për t’u larë e për të ngrënë. I dha edhe shtatë vajza të zgjedhura nga shtëpia e mbretit dhe e vendosi me vajzat në pjesën më të mirë të shtëpisë së grave. 10 Estera nuk kishte folur as për popullin, as për fisin e vet, se Mordakai e kishte urdhëruar të mos tregonte. 11 Mordakai bënte ecejake çdo ditë kundruall tremes së shtëpisë së grave, për të marrë vesh si ishte Estera e çfarë do të bënin me të.

12 Erdhi radha që secila vajzë të paraqitej te mbreti Kserks, pasi t’i kishte mbushur dymbëdhjetë muajt e rregullores për gratë, kohë gjatë së cilës duhej të laheshin për gjashtë muaj me mirrë e gjashtë muaj me vajra erëmirë e me zbukurues për gratë. 13 Kur vajza shkonte te mbreti, i jepnin gjithçka kërkonte të merrte me vete nga shtëpia e grave te shtëpia e mbretit. 14 Mbrëmjeve hynte brenda e në mëngjes kthehej në shtëpinë tjetër të grave që ishte nën mbikëqyrjen e Shashgazit, eunukut të mbretit, kujdestarit të shemrave. Ajo nuk kthehej më te mbreti, përveçse po t’i pëlqente mbretit e ai ta thërriste me emër.

15 Kur Esterës, së bijës së Abihajlës, të ungjit të Mordakait, që ky e kishte marrë si bijë, i erdhi radha të shkonte te mbreti, ajo nuk kërkoi asgjë përveç çfarë i tha Hegai, eunuku i mbretit, kujdestari i grave. Estera u pëlqente të gjithë atyre që e shikonin. 16 Ajo u paraqit te mbreti Kserks, në shtëpinë mbretërore, në muajin e dhjetë, domethënë në muajin Tebet, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij, 17 dhe mbreti e deshi Esterën mbi të gjitha gratë. Ajo fitoi pëlqimin dhe përkrahjen e tij më shumë se të gjitha vashat e tjera, prandaj ai i vuri mbi kokë kurorën mbretërore dhe e shpalli mbretëreshë në vend të Vashtit. 18 Atëherë mbreti shtroi një gosti të madhe për të gjithë prijësit e shërbëtorët e tij, gostinë e Esterës, caktoi një festë për krahinat dhe shpërndau dhurata, siç i ka hije mbretit.

Mordakai shpëton mbretin

19 Kur vashat u mblodhën sërish, Mordakai u gjend pranë portës së mbretit. 20 Estera nuk kishte treguar cilit komb e popull i përkiste, siç e kishte urdhëruar Mordakai, se ajo e zbatonte urdhrin e Mordakait, siç kishte vepruar kur ishte rritur tek ai.

21 Gjatë atyre ditëve, kur Mordakai rrinte te porta e mbretit, Bigtani e Tereshi, dy nga eunukët e mbretit, që ruanin pragun, u zemëruan dhe vendosën të vinin dorë mbi mbretin Kserks, 22 por Mordakai e mori vesh këtë gjë e ia tregoi mbretëreshës Ester. Ajo ia tregoi mbretit, në emër të Mordakait. 23 Mbreti e hetoi këtë çështje, që doli e vërtetë, e ata të dy u varën në pemë. Kjo gjë u shkrua në librin e Kronikave, në praninë e mbretit.