Psalmet 144

Psalm i Davidit.

Bekuar qoftë Zoti, shkëmbi im,

që m’i mëson duart për luftë

e gishtërinjtë për betejë,

mirësia ime dhe fortesa ime,

streha ime dhe çlirimtari im,

mburoja ku gjej strehë,

ai që ma vë popullin nën sundim.

Zot, ç’është njeriu

që të kujdesesh për të,

apo biri i njeriut,

që të mendosh për të?

Njeriu është si fryma,

ditët e tij si hija që kalon.

Zot, përkuli qiejt e tu e zbrit,

preki malet, që të nxjerrin tym.

Dërgo rrufetë e shpërndaji,

lësho shigjetat e tua dhe shpartalloji.

Shtrije dorën tënde nga lart,

çliromë e shpëtomë

prej ujërave të rrëmbyer,

prej dorës së të huajve.

Goja e tyre thotë veç gënjeshtra,

e djathta e tyre betohet për mashtrime.

O Perëndi, do të të këndoj një këngë të re,

për ty do t’i bie harpës me dhjetë tela,

10 për ty, që i jep fitoren mbretërve,

që e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd,

prej shpatës mizore.

11 Çliromë e shpëtomë

prej dorës së të huajve,

se goja e tyre thotë veç gënjeshtra,

e djathta e tyre betohet për mashtrime.

12 Qofshin bijtë tanë si pemët,

që rriten mirë që në rini,

e bijat tona si shtyllat e këndit,

të gdhendura për të stolisur ndërtesën.

13 Drithnikët tanë qofshin plot,

të mbushur me gjithfarë të mirash,

bagëtitë tona u shtofshin me mijëra,

me dhjetëra mijëra në arat tona,

14 gjedhët tanë qofshin të majmët!

Mos pastë çarje muresh e as arrati,

mos pastë gjëmë nëpër rrugët tona.

15 Lum ai popull që i ka këto të mira!

Lum ai popull që ka për Perëndi Zotin!


 t144.14 ose: gjedhët tanë qofshin të fortë për të mbajtur