Kundër Jerusalemit
1 Profeci për luginën e Vegimit:
ç’të ka ndodhur, pra,
që ke hipur i gjithi mbi çati,
2 ty, o qytet plot zhurmë,
qytet i trazuar, qytet plot gëzim?
Të vdekurit e tu s’i vrau shpata,
në luftë ata nuk ranë.
3 Të gjithë prijësit e tu ia mbathën,
u zunë robër e hark nuk kishin.
Ç’kishte mbetur te ti u kap,
u robërua pa shkuar larg.
4 Prandaj po ju them: «Largojini sytë nga unë,
do të qaj plot hidhërim.
E mos kërkoni të më ngushëlloni
për shkatërrimin e bijës së popullit tim».
5 Se kjo ditë e Zotit, Zotit të ushtrive,
është ditë tmerri, shkatërrimi e zvetënimi.
Në luginën e Vegimit u shemb muri,
britma për ndihmë dëgjohen maleve.
6 Elami rroku kukurën,
me qerre e me kalorës,
Kiri e nxori shqytin.
7 Luginat e tua më të mira
me qerre e me kalorës u mbushën.
Përballë portës janë rreshtuar
8 e Judës i është hequr mburoja.
Atë ditë i hodhët sytë
nga armët e Pallatit të Pyllit.
9 Patë sa të shumta ishin të çarat e mureve
në qytetin e Davidit
dhe mblodhët ujërat
e pellgut të poshtëm.
10 Numëruat shtëpitë e Jerusalemit
e shembët shtëpi për të përforcuar muret.
11 Mes dy mureve ndërtuat një ujëmbajtës,
për të mbajtur ujin e pellgut të vjetër,
por nuk i hodhët sytë nga ai që e kishte bërë,
nuk e patë atë që e sendërgjoi qëmoti.
12 Ju thirri atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive,
që të qanit e të vajtonit,
që kokat tuaja t’i rruanit
e me grathore të ngjisheshit.
13 Por jo! Gëzonit e dëfrenit,
thernit qe e hanit dhen,
hanit mish e pinit verë.
«Të hamë e të pimë», thoshit,
«Se nesër do të vdesim».
14 Por Zoti i ushtrive më ka thënë në vesh:
«Kjo paudhësi nuk do të shlyhet,
deri kur të vdisni»,
thotë Zoti, Zoti i ushtrive.
Shkarkimi i Shebnaut
15 Kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive:
Ngrihu e shko tek oborrtari Shebna
që është kujdestari i pallatit.
16 «Ç’do ti këtu?», thuaji.
«Kë ke tëndin këtu,
që je duke hapur varr?».
Ke latuar në lartësi varrin tënd,
ke gdhendur në shkëmb banesën tënde.
17 Por ja, Zoti do të të vërvitë me dhunë, o njeri,
e do të të mbërthejë mirë.
18 Do të të mbështjellë mirë e mirë si lëmshin,
me të dyja duart do të të vërvitë si topin në fushë,
atje ke për të vdekur,
atje do të marrin fund qerret e tua të lavdishme,
o turpi i shtëpisë së zotërinjve të tu!
19 Do të të dëbojë nga detyra,
do të të plandosë nga rangu.
20 Atë ditë do të thërras shërbëtorin tim,
Eliakimin, birin e Hilkiahut.
21 Do ta vesh me petkun tënd,
me brezin tënd do ta ngjesh,
pushtetin tënd do t’ia jap atij.
Do të jetë atë për banorët e Jerusalemit
e për shtëpinë e Judës.
22 Mbi supe do t’i vë çelësin e shtëpisë së Davidit;
ai do të çelë e askush s’do të mbyllë,
ai do të mbyllë e askush s’do të çelë.
23 Do ta ngul si kunjin në tokë të fortë,
froni i tij do të jetë lavdi për shtëpinë e atit të tij.
24 Prej tij do të varet tërë lavdia e shtëpisë së atit të tij,
filizat e rinj e tërë degët,
të gjitha enët e vogla,
nga kupat deri te qypat e çdo lloji.
25 Atë ditë, kumton Zoti i ushtrive,
do të hiqet kunji i ngulur në tokë të fortë,
do të këputet e do të bjerë,
gjithçka e varur tek ai do të copëtohet,
se kështu ka folur Zoti.