Të dërguarit babilonas
1 Asokohe, mbreti i Babilonisë Merodak Baladani, biri i Baladanit, i dërgoi Ezekisë një dhuratë e një letër, se kishte marrë vesh që kishte qenë sëmurë. 2 Ezekia u gëzua me lajmëtarët e u tregoi vendin ku ruhej tërë thesari i tij, argjendi, floriri, aromat e vajrat erëmirë. U tregoi edhe vendin ku ruheshin armët dhe tërë vendet ku ruheshin thesaret e tij. Ezekia nuk la gjë pa u treguar në pallat e në gjithë mbretërinë e tij. 3 Atëherë profeti Isai shkoi te mbreti Ezeki e i tha: «Nga vinin ata burra e çfarë të thanë?». Ezekia i tha: «Vijnë nga një vend i largët, nga Babilonia». 4 Isaia e pyeti: «E çfarë panë në pallatin tënd?». Ezekia iu përgjigj: «Panë gjithçka ndodhet në pallatin tim e nuk lashë gjë pa u treguar nga thesaret e mia».
5 Atëherë Isaia i tha Ezekisë: «Dëgjo, pra, fjalën e Zotit të ushtrive: 6 “Ja, po vijnë ditët, kur gjithçka që gjendet në pallatin tënd e gjithçka që kanë mbledhur paraardhësit e tu deri më sot, do të çohet në Babiloni e këtu nuk do të mbetet asgjë”, thotë Zoti. 7 Babilonasit do të marrin edhe disa prej djemve të tu, që do të lindin prej teje, e do t’i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë». 8 Ezekia i tha Isaisë: «E mirë është fjala që të ka thënë Zoti». E me vete mendonte: «Të paktën, sa të jem gjallë unë, do të ketë paqe e siguri».