Jeremia 18

Shëmbëlltyra e poçarit

Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: «Çohu e zbrit te shtëpia e poçarit e atje do të dëgjosh fjalët e mia». Atëherë zbrita te shtëpia e poçarit dhe, ja, po punonte në çark. Ena që po bënte prej balte u prish në dorë të poçarit, por ai ia nisi sërish e bëri një tjetër enë, siç ia pati ënda ta bënte.

Atëherë m’u drejtua fjala e Zotit e më tha: «A nuk mund të veproj me ju porsi ky poçar, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti? Ja, porsi balta në dorë të poçarit, kështu jeni ju në dorën time, o shtëpia e Izraelit. Nëse vendos, për ndonjë komb a mbretëri, ta zhbij, ta shemb e ta shkatërroj, por ai komb, kundër të cilit kisha folur, heq dorë nga paudhësia e vet, atëherë edhe unë pendohem për mynxyrën që kisha shestuar të bëja kundër tij. Nëse vendos, për ndonjë komb a mbretëri, ta ngre e ta mbjell, 10 por ai bën paudhësi në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, atëherë edhe unë pendohem për të mirën që kisha premtuar në dobi të tij. 11 Tani thuaju burrave të Judës dhe banorëve të Jerusalemit: “Kështu thotë Zoti: ja, unë po gatis një fatkeqësi kundër jush, po shestoj kundër jush, prandaj secili të heqë dorë nga sjellja e mbrapshtë dhe të përmirësojë sjelljet e veprimet e tij”».

Mëkati i Izraelit

12 Por ata do të thonë: «Është e kotë, sepse ne do të ndjekim shestimet tona. Secili do të veprojë me kokëfortësi sipas zemrës së vet të ligë».

13 Prandaj, kështu thotë Zoti:

«Pyetni ndër kombe

kush ka dëgjuar gjëra të tilla?

Poshtërsi të madhe bëri

virgjëresha e Izraelit.

14 A zhduket bora e Libanit

nga shkëmbinjtë përmbi fusha?

A shterohen ujërat e maleve

që rrjedhin plot freski?

15 Por, populli im më harroi,

idhujve u kushtuan fli,

u penguan udhëve të veta,

shtigjeve të dikurshme,

për të ecur rruginave,

udhës pa udhë,

16 për ta kthyer tokën e vet në mjerim,

në tallje të përhershme.

Kush kalon ndanë saj tmerrohet

e tund kokën.

17 Si era e lindjes do t’i përhap

para armiqve të tyre.

Do t’u tregoj shpinën e jo fytyrën

në ditën e zezonës».

Përbetimi kundër Jeremisë

18 Atëherë thanë: «Ejani të thurim trille kundër Jeremisë, se nuk do të marrë fund mësimi i ligjit nga prifti, as këshilla nga i urti e as fjala nga profeti. Ejani t’ia ndalim gjuhën e të mos i vëmë vesh asnjë fjale të tij».

19 Vëmë vesh, o Zot,

e dëgjoje zërin e paditësve të mi.

20 A shpërblehet e mira me të keqe?

Ja, ata më kanë bërë gropën.

Kujtohu si qëndroja para teje

për të folur mirë për ta,

për ta shmangur prej tyre zemërimin tënd.

21 Prandaj, falua bijtë e tyre urisë,

hidhi në teh të shpatës.

Gratë e tyre mbetshin beronja e të veja,

burrat e tyre u thershin e vdekshin,

bijtë e tyre i vraftë shpata në betejë!

22 U dëgjoftë gjëma nga shtëpitë e tyre,

kur befas të lëshosh mbi ta hordhitë,

se më hapën gropën për të më kapur

e ngritën kurth për këmbët e mia.

23 Ti i njeh, o Zot,

të gjitha synimet e tyre vdekjeprurëse kundër meje.

Mos ua fal ligësinë,

mëkatin e tyre mos e hiq sysh.

U rrëzofshin para teje!

Në kohën e zemërimit tënd vepro kundër tyre.