Psalmet 142

Himn i Davidit. Lutje që bëri kur ishte në shpellë.

Me zërin tim i thërras Zotit,

me zërin tim i përgjërohem Zotit.

Para tij do ta nxjerr rënkimin tim,

hidhërimin tim para tij do ta rrëfej.

Kur më meket shpirti,

ti e njeh mirë udhën time.

Udhës ku po kaloj,

më kanë ngritur kurth.

Hedh sytë djathtas e vështroj,

nuk ka asnjë të njohur,

nuk ka asnjë strehim për mua,

askush nuk kujdeset për jetën time.

Atëherë të thirra ty, o Zot, e thashë:

«Ti je strehimi im,

ti je trashëgimia ime në tokën e të gjallëve».

Dëgjoje mirë kujën time,

se shumë jam poshtëruar,

shpëtomë prej atyre që më përndjekin,

se janë më të fortë se unë.

Nxirrmë prej burgut,

që ta përlëvdoj emrin tënd.

Të drejtët do të mblidhen rreth meje,

se ti do të më mbushësh me të mira.