Jobi 12

Jobi rrëfen fuqinë e Perëndisë

Jobi u përgjigj e tha:

«Vërtet ju jeni njerëzia

e me ju do të vdesë urtia,

por edhe unë kam mend si ju

e nuk jam më pak se ju.

Kush nuk i ditka këto gjëra?

U bëra shpotia e shokëve të mi,

unë që i thërras Perëndisë të më përgjigjet.

Shpoti jam unë, i drejti e i përkryeri.

“Përçmim për të pafatin!”,

mendon kush është mirë

“shtymën këmbëzvarrit!”.

Banesat e rrënimtarëve janë të qeta,

është i sigurt kush cyt Perëndinë,

kush e ka Perëndinë në dorë.

Pyeti kafshët e ato të mësojnë,

edhe zogjtë e qiellit e ata të tregojnë.

Ose ankoju tokës e ajo të mëson,

edhe peshqve të detit e ata të rrëfejnë.

Kush nga gjithë këta s’e di

se i bëri dora e Zotit?

10 Se ai ka në dorë frymën e çdo gjallese

dhe shpirtin e çdo njeriu prej mishi.

11 A nuk i dallon veshi fjalët,

siç shijon qiellza gjellën?

12 A s’është urtia me pleqtë

e dija me jetëgjatët?

13 Me Perëndinë është urtia e fuqia,

atij i takon këshilla e mençuria.

14 Ja, ai shemb e askush nuk ndërton dot,

ndryn në burg e askush nuk mund të hapë.

15 Ja, ai e ndal ujin e thahen të gjitha,

e lë të vërshojë e toka rroposet.

16 Me të është forca e mençuria,

ai ka në dorë të mashtruarin e mashtruesin.

17 Zbathur i nis këshilltarët

e tallet me gjykatësit.

18 Ua zgjesh brezin mbretërve

e ijët ua lidh me lak.

19 I nis priftërinjtë zbathur

e i përmbys sunduesit.

20 Ua heq fjalën gojëtarëve

dhe pleqve u heq gjykimin.

21 Zbraz përçmim mbi prijësit,

ua liron rripin të fortëve.

22 Shpërfaq thellësitë e errësirës

e nxjerr në dritë terrinën.

23 Kombet i madhëron e i asgjëson,

i shpërndan kombet e u prin.

24 Ua merr mendtë prijësve të dheut,

i end në shkretëtirën pa udhë.

25 Kuturisen në terr pa dritë

dhe sillen si të dehur».