Romakëve 8

Jeta në Shpirtin e shenjtë

Prandaj, tanimë nuk ka asnjë dënim për ata që i përkasin Krishtit Jezu, sepse ligji i Shpirtit që jep jetë përmes Krishtit Jezu, ju çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Atë që nuk mund ta bënte ligji për shkak të dobësisë njerëzore, e bëri Perëndia duke dërguar Birin e vet në përngjasim me dobësinë njerëzore mëkatare. Për sa i takon mëkatit, ai e ndëshkoi mëkatin në dobësinë njerëzore, në mënyrë që kërkesat e drejta të ligjit të përmbushen në ne që nuk jetojmë sipas dobësisë njerëzore, por sipas Shpirtit.

Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e dobësisë njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit. Mendja te gjërat e dobësisë njerëzore të çon në vdekje, ndërsa mendja te gjërat e Shpirtit të çon në jetë dhe paqe. Prandaj mendja te gjërat e dobësisë njerëzore është në armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.

Ju nuk jetoni sipas dobësisë njerëzore, por jetoni në Shpirt, përderisa Shpirti i Perëndisë banon në ju. Nëse ndonjë nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit. 10 Nëse Krishti është në ju, trupi juaj do të vdesë për shkak të mëkatit, por Shpirti ju jep jetë, për shkak se Perëndia ju ka bërë të drejtë. 11 Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju.

12 Prandaj, o vëllezër, detyrimi që kemi nuk është kundrejt dobësisë njerëzore për të jetuar sipas saj. 13 Nëse jetoni sipas dobësisë njerëzore, ju do të vdisni; por nëse me anë të Shpirtit do t’i shkatërroni për vdekje veprat e dobësisë njerëzore, ju do të jetoni. 14 Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë. 15 Sepse Shpirti që keni marrë, nuk është një shpirt që ju bën skllevër për të pasur sërish frikë, por keni marrë Shpirtin që ju ka birësuar, nëpërmjet të cilit thërrasim: Abba, o Atë! 16 Ky Shpirt dëshmon me shpirtin tonë se jemi bij të Perëndisë. 17 Nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë si dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, sepse, nëse vuajmë bashkë me të, edhe do të përlëvdohemi bashkë me të.

Lavdia e ardhshme

18 Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen. 19 Gjithçka e krijuar nga Perëndia pret me padurim që ai të shfaqë bijtë e tij. 20 Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, por për shkak të atij që e nënshtroi. Megjithatë ka shpresë 21 se gjithçka e krijuar do të çlirohet nga robëria e kalbjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. 22 Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes; 23 dhe jo vetëm gjithçka e krijuar, por edhe vetë ne që i kemi marrë frytet e para të Shpirtit rënkojmë përbrenda vetes, duke pritur me padurim birësimin dhe shpengimin e trupave tanë. 24 Sepse u shpëtuam me anë të shpresës, por shpresa që shihet nuk është shpresë. Përse duhet ta shpresojë njeriu atë që sheh? 25 Por nëse e shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me durim.

26 Po ashtu edhe Shpirti na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme. 27 Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është synimi i Shpirtit, sepse ai ndërmjetëson për të shenjtët siç i pëlqen Perëndisë. 28 Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. 29 Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t’u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. 30 Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi.

Dashuria e Perëndisë

31 Ç’të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, 32 por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër? 33 Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë. 34 Kush është ai që do t’i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë e ndërmjetëson për ne. 35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mos vallë pikëllimi a hidhërimi, përndjekja a uria, të zhveshurit a rreziku apo shpata? 36 Sikurse është shkruar:

për ty po na vrasin tërë ditën

e na trajtojnë si dele për t’u therur.

37 Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi. 38 Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet, 39 as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë që u tregua në Krishtin Jezu, Zotit tonë.