Sprovoni shpirtrat
1 Fort të dashur, mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për të parë nëse janë nga Perëndia ose jo, sepse në botë kanë dalë shumë profetë të rremë. 2 Shpirtin e Perëndisë do ta njihni nga kjo gjë: çdo shpirt që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur me trup njerëzor, është nga Perëndia. 3 Çdo shpirt që nuk e rrëfen Jezuindh, nuk është nga Perëndia. Ky është shpirti i antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se po vjen dhe, madje, tashmë ai është në botë.
4 Por ju, bijtë e mi, jeni nga Perëndia dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë. 5 Ata janë nga bota, prandaj flasin me gjuhën e botës dhe bota i dëgjon. 6 Ndërsa ne jemi nga Perëndia. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon. Ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Prej kësaj do ta dallojmë Shpirtin e së vërtetës nga shpirti i mashtrimit.
Perëndia është dashuri
7 Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia. Kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. 8 Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. 9 Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij. 10 Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona. 11 Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.
12 Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne. 13 Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij. 14 Ne kemi parë e dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës. 15 Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë. 16 Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne.
Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të. 17 Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai. 18 Në dashuri nuk ka frikë, madje, dashuria e përsosur e dëbon frikën. Frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri.
19 Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari. 20 Po të thotë ndonjë: «Unë e dua Perëndinë», por urren vëllanë e vet, ai është gënjeshtar. Kush nuk do vëllanë, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e ka parë. 21 Këtë urdhërim kemi prej tij: kush e do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.