2 Kronikave 4

Orenditë e tempullit

Solomoni bëri një altar prej bronzi, që ishte dhjetë metra i gjatë, dhjetë metra i gjerë e pesë metra i lartë. Ai punoi edhe një det prej metali të shkrirë që kishte trajtë rrethore dhe gjerësi pesë metra nga buza në buzë. Thellësia e detit prej metali ishte dy metra e gjysmë, ndërsa perimetri ishte pesëmbëdhjetë metra i gjatë. Nën buzët e detit të metaltë, përgjatë perimetrit, vareshin dy vargje me figura demash, të derdhura njësh me detin, me nga njëzet dema për metër. Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë dema, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti mbështetej mbi kurrizin e demave, që të pasmet i kishin të kthyera për nga brenda. Trashësia e detit ishte një pëllëmbë, ndërsa buzët e tij ishin si buzë kupe, në trajtë zambaku. Ai nxinte rreth njëqind e njëzet mijë litra. Solomoni bëri edhe dhjetë legenë. Pesë legenë i vuri në të majtë të detit të metaltë dhe pesë në të djathtë. Legenët përdoreshin për larjen e sendeve që shërbenin për flitë e shkrumbimit, ndërsa deti i metaltë përdorej për larjen e priftërinjve.

Solomoni bëri edhe dhjetë shandanë prej ari, sipas trajtës së duhur, dhe i vendosi në tempull, pesë në të djathtë e pesë në të majtë. Ai bëri edhe dhjetë tryeza dhe i vendosi edhe ato në tempull, pesë në të djathtë e pesë në të majtë, si edhe njëqind kupa prej ari. Pastaj bëri tremen e priftërinjve, tremen e madhe dhe dyert e tremes, të cilat i veshi me bronz. 10 Detin e metaltë e vendosi në anën e djathtë, në juglindje.

11 Pastaj Hirami punoi rrethjet, lopatëzat dhe kupat. Kështu i mbaroi të gjitha punët që i kishte kërkuar mbreti Solomon për tempullin e Perëndisë. 12 Ai bëri dy shtyllat me dalje të rrumbullakëta në majë, mbi të cilat u vendosën krythat, dhe dy rrjeta të thurura, për të mbuluar majën e shtyllave. 13 Bëri edhe katërqind shegë për të dyja rrjetat e thurura. Secila rrjetë kishte nga dy rreshta shegësh, për të mbuluar daljet e rrumbullakëta për krythat, që ndodheshin mbi shtyllat. 14 Punoi edhe bazat për legenët, që u vendosën mbi secilën bazë, 15 detin me dymbëdhjetë qetë, që e mbartnin, 16 rrethjet, lopatëzat dhe pirunët. Të gjitha këto pajisje, që mbreti Solomon i kërkoi Huram Abiut për tempullin e Zotit, u punuan me bronz të pastër. 17 Mbreti kishte urdhëruar, që të gjitha pajisjet të derdheshin në tokën argjilore të luginës së Jordanit, midis Sukotit dhe Ceredahut. 18 Solomoni bëri aq shumë pajisje, sa nuk u llogaritej pesha.

19 Solomoni bëri edhe të gjitha pajisjet e tjera për tempullin e Perëndisë: altarin prej ari, tryezën e paraqitjes së bukës, 20 shandanët bashkë me llambat prej ari të pastër, që digjeshin në kohën e caktuar brenda shenjtërores, 21 gonxhet, llambat dhe mashat prej ari tejet të pastër, 22 thikat, kupat, kusitë dhe mangallët prej ari të pastër, si edhe dyert e hyrjes së shenjtërores dhe të anijatës, po prej ari.