Përshëndetje
1 Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë, dhe Krishtit Jezu, shpresës sonë, 2 po të shkruaj ty Timote, birit të vërtetë në besim: hiri, mëshira dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Jezu Krishti, Zoti ynë, qofshin me ty!
Kundër mësimit të rremë
3 Ashtu si të porosita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes dhe urdhëroi disa të mos u mësojnë besimtarëve një mësim tjetër 4 dhe të mos merren me mite dhe gjenealogji pa fund, të cilat shkaktojnë grindje dhe nuk i shërbejnë planit shpëtimtar të Perëndisë që e njohim përmes besimit.
5 Synimi i këtij urdhri është dashuria që vjen nga një zemër e dëlirë, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga një besim pa hipokrizi. 6 Disa, duke shmangur këto gjëra, janë kthyer te bisedat pa kuptim. 7 Ata duan të jenë mësues të ligjit të Moisiut, pa kuptuar as ato që thonë, as ato që pohojnë me kaq siguri.
8 Ne e dimë se ligji është i mirë, nëse njeriu e përdor si duhet. 9 Po ashtu e dimë se ligji nuk u dha për të drejtin, por për shkelësit e të pabindurit, për të ligjtë e mëkatarët, për të pafetë e të patënzonët, për ata që vrasin atë e nënë, për vrasësit, 10 për kurvarët, për ata që shkojnë me meshkuj, për pengmarrësit, për gënjeshtarët, për ata që bëjnë be të rreme dhe çfarëdo gjëje tjetër që kundërshton mësimin e shëndoshë. 11 Ky mësim është sipas ungjillit të lavdisë së të lumit Perëndi, ungjill që m’u besua mua.
Mirënjohje për mëshirën
12 I jam mirënjohës Krishtit Jezu, Zotit tonë, që më dha fuqi, sepse më çmoi besnik dhe më vuri në shërbim të tij, 13 ndonëse më përpara e kisha fyer, përndjekur dhe sharë. Por ai më mëshiroi, sepse veprova nga padija, kur isha larg besimit të vërtetë. 14 Hiri i Zotit tonë m’u dha me tepri bashkë me besimin e dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.
15 Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht: Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. 16 Por, prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të shfaqë në mua së pari tërë durimin, si shembull për ata që do të besojnë në të për jetën e amshuar. 17 Prandaj mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndia, i qoftë nder e lavdi, në shekuj të shekujve! Amen!
18 Këtë detyrë po ta besoj ty, o biri im Timote, sipas profecive që janë thënë për ty. Ti, i mbështetur në to, lufto luftën e mirë! 19 Ruaje besimin dhe ndërgjegjen e pastër, që disa e hodhën tej dhe e mbytën kështu anijen e besimit. 20 Ndër këta janë Himeneu e Aleksandri, të cilët ia dorëzova Satanit, që të mësojnë të mos fyejnë Perëndinë.