1 Fjala e Zotit që iu drejtua Hosesë, birit të Beriut, në ditët e Uziahut, Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës, dhe në ditët e Jeroboamit, birit të Joashit, mbretit të Izraelit.
Gruaja e Hosesë
2 Kur Zoti filloi t’i fliste Hosesë, Zoti i tha: «Shko e merr për grua një lavire e bëj fëmijë me të, sepse vendi po kryen tradhti kundër Zotit». 3 Ai shkoi e mori për grua Gomerën, bijën e Diblaimit, e cila mbeti shtatzënë e lindi një djalë.
4 Atëherë Zoti i tha: «Quaje Izrel, se edhe pak e do ta ndëshkoj shtëpinë e Jehut për gjakun që u derdh në Izrel. Do t’i jap fund mbretërisë së Izraelit. 5 Atë ditë do ta thyej harkun e Izraelit në luginën e Izrelit».
6 Ajo mbeti shtatzënë sërish e lindi një vajzë. Atëherë Perëndia i tha: «Quaje Loruhama, se nuk do të kem më mëshirë për shtëpinë e Izraelit e nuk do ta fala. 7 Por, do të kem mëshirë për shtëpinë e Judës. Do t’i shpëtoj falë Zotit, Perëndisë së tyre, dhe jo në saje të harkut, shpatës, luftës, kuajve e kalorësve».
8 Pasi e ndau nga gjiri Loruhamën, Gomera mbeti shtatzënë e lindi një djalë. 9 Atëherë Perëndia i tha: «Quaje Loam, se ju nuk jeni populli im e unë nuk jam i juaji».