Abdia 1

Krenaria e Edomit

Vegimi i Abdisë.

«Kështu thotë Zoti, Zoti im, për Edomin:

dëgjuam një lajm prej Zotit,

kasneci shpalli mes kombeve:

“Ngrihuni! Përpara në luftë kundër Edomit!”.

Ja, të bëra të vogël mes kombeve,

shumë do të të përbuzin.

Të gënjeu mendjemadhësia,

ty që në shkrepa shkëmbinjsha banon

e në banesa fisnike qëndron.

Me vete thua:

“Kush do të më hedhë përtokë?”.

Edhe sikur të fluturosh lart porsi shqiponja,

ndër yje ta ngresh folenë,

poshtë do të të hedh,

kumton Zoti.

Nëse kusarët, grabitësit e natës, hyjnë brenda,

a nuk do të bastisin vetëm aq sa munden?

Nëse korrësit vijnë për të korrur,

a nuk do të lënë mbrapa ndonjë kalli?

Por ti, ke marrë fund krejt!

Ah, si u plaçkit Esau!

Si u rrëmuan thesaret e tij!

Të zbuan përtej kufijve tërë besëlidhësit e tu,

të mashtruan, të mposhtën paqedashësit e tu.

Miqtë e sofrës pritë të kanë vënë,

por ti s’kupton gjë.

Atë ditë, kumton Zoti,

a nuk do ta shuaj të urtin prej Edomit,

mençurinë prej malit të Esaut?

Trimat e tu do të tmerrohen, o Teman,

e në malin e Esaut

kërdija do të zhbijë çdokënd.

10 E dhunove vëllain tënd, Jakobin,

ndaj turpi do të të mbulojë

e do të shuhesh përgjithmonë.

11 Ditën kur ndenje mënjanë,

kur të ardhurit ia zunë rob pasurinëb,

kur të huajt i hynë në qytet,

e për Jerusalemin hodhën short,

edhe ti ishe si një prej tyre.

12 Ti s’duhej të rrije e të vështroje,

ditën kur yt vëlla u zu ngushtë.

S’duhej të festoje,

ditën kur bijtë e Judës u shkatërruan.

S’duhej të mburreshe,

ditën e fatkeqësisë.

13 S’duhej të hyje brenda qytetit të popullit tim,

ditën kur u shkatërrua,

e as të kundroje të keqen që e zuri,

ditën kur u shkatërrua.

S’duhej t’ia prekje pasurinë,

ditën kur u shkatërrua.

14 S’duhej të rrije udhëkryqeve,

për të vrarë të ikurit e tij.

S’duhej t’i dorëzoje ata që shpëtuan,

ditën e fatkeqësisë.

15 Po afron dita e Zotit kundër gjithë kombeve.

Siç bëre, do të ta bëjnë,

sjellja jote do të të bjerë kokës si shpërblim.

16 Kupën që pitë në malin tim të shenjtë,

mbarë kombet do ta pinë përherë.

Do të pinë, do të rrëkëllejnë,

do të shuhen si të mos kishin qenë kurrë!

17 Ata që shpëtuan do të mbesin në malin Sion,

e ai do të jetë i shenjtë.

Do ta zotërojë pronën e vet shtëpia e Jakobit.

18 Zjarr do të jetë shtëpia e Jakobit,

flakë shtëpia e Jozefit,

por shtëpia e Esaut kashtë e thatë.

Do ta djegin e do ta përpijnë,

askush prej shtëpisë së Esaut

nuk do të shpëtojë gjallë,

se kështu foli Zoti.

19 Të ardhurit prej jugut do ta pushtojnë malin e Esaut,

ata prej perëndimit do t’i sundojnë filistinët.

Do ta pushtojnë vendin e Efraimit e të Samarisë,

Benjamini Gileadin do ta sundojë.

20 Mërgimtarët e kësaj morie, bijtë e Izraelit,

do ta marrin Kanaanin deri në Sareptë.

Mërgimtarët e Jerusalemit, që janë në Sefarad,

do të pushtojnë qytetet e Negevit.

21 Do të ngjiten çlirimtarët në malin e Sionit,

që të gjykojnë malin e Esaut,

dhe mbretëria Zotit do t’i përkasë».


 a1.3 ose: shkrepat e Selaut

 b1.11 ose: ushtrinë