Betejat e Davidit
1 Pas kësaj Davidi i mundi filistinët, i nënshtroi dhe mori Meteg Amahun prej tyre.
2 Ai mundi edhe moabitët. I shtriu përtokë dhe i ndau në rreshta. Dy rreshta i vrau dhe një rresht e fali. Moabitët iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin.
3 Davidi mundi edhe Hadadezerin, birin e Rehobit, mbretin e Cobahut, kur ai po shkonte për t’i ngritur një përmendore vetes pranë lumit Eufrat 4 dhe i mori një mijë e shtatëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi u theu kërcinjtë të gjithë kuajve, përveç atyre që iu deshën për njëqind karroca. 5 Arameasit e Damaskut i erdhën në ndihmë Hadadezerit, mbretit të Cobahut, por Davidi vrau njëzet e dy mijë arameas. 6 Pastaj Davidi vendosi disa njësi në Aram të Damaskut. Arameasit iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin. Zoti e shpëtonte Davidin ngado që shkonte. 7 Davidi mori parzmoret e arta të shërbëtorëve të Hadadezerit dhe i çoi në Jerusalem. 8 Edhe nga Betahu e nga Berotai, qytete të Hadadezerit, mori një sasi të madhe bronzi.
9 Kur Toiu, mbreti i Hamatit, dëgjoi se Davidi e kishte mundur tërë ushtrinë e Hadadezerit, 10 dërgoi te mbreti David birin e tij, Joramin, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse i kishte shpallur luftë Hadadezerit dhe e kishte mundur. Hadadezeri ishte në luftë me Toiun. Ai i dërgoi edhe enë argjendi, ari e bronzi. 11 Mbreti David ia kushtoi Zotit edhe ato, bashkë me argjendin e arin që kishte kushtuar prej të gjitha kombeve që kishte nënshtruar, 12 prej arameasve, moabitëve, amonitëve, filistinëve, amalekitëve dhe prej plaçkës së Hadadezerit, birit të Rehobit, mbretit të Cobahut.
13 Davidi bëri emër kur u kthye, sepse shpartalloi tetëmbëdhjetë mijë edomitë në luginën e Kripës. 14 Ai vendosi njësi në mbarë Edomin. Të gjithë edomitët iu nënshtruan Davidit. Zoti e shpëtonte Davidin ngado shkonte.
15 Davidi mbretëroi mbi mbarë Izraelin dhe veproi drejt e me drejtësi me mbarë popullin e vet. 16 Joabi, biri i Cerujahut, ishte në krye të ushtrisë. Joshafati, biri i Ahiludit, ishte shkresari. 17 Cadoku, biri i Ahitubit, dhe Ahimeleku, biri i Abiatarit, ishin priftërinj, ndërsa Serajahu ishte shkruesi. 18 Benajahu, biri i Jehojadait, ishte kreu i keretitëve dhe peletitëve, ndërsa të bijtë e Davidit ishin priftërinj.