Jobi 15

Elifazi qorton Jobin

Elifaz Temaniti u përgjigj e tha:

«A përgjigjet i urti me fjalë që i merr era?

A e mbush barkun me erën e lindjes?

A mbrohet me fjalë të kota

e me shprehje pa dobi?

Por ti po e çart drojen,

po shpërfill lutjen para Perëndisë,

se faji yt e mëson gojën tënde

e ti zgjedh gjuhën e dinakëve.

Goja jote të dënon e jo unë,

buzët e tua dëshmojnë kundër teje.

A je ti njeriu i parë që u lind?

A para kodrave u përftove?

Mos ke përgjuar shestimet e Perëndisë

dhe e mban urtinë për vete?

Çfarë di ti, që ne s’e dimë?

Çfarë kupton ti, që ne s’e marrim vesh?

10 Ka ndër ne të thinjur e pleq,

më të moçëm se yt atë.

11 A pak janë për ty ngushëllimet e Perëndisë

e fjala e butë që të drejtohet?

12 Pse të gulçon zemra

e të flakërojnë sytë,

13 kur kthehesh kundër Perëndisë

e fjalët nga goja të rrjedhin?

14 Çfarë është njeriu që të jetë i pastër?

A është i drejtë kush lindi prej gruaje?

15 Perëndia s’beson as te shenjtorët e vet

e para tij as qielli s’është i pastër,

16 pale njeriu i pështirë e i çartur,

që e pi ligësinë si ujë.

17 Ta shpjegoj unë, më dëgjo!

Do të të tregoj ç’kam parë,

18 çfarë rrëfyen të urtët,

që të parët e tyre nuk ua fshehën.

19 Vetëm atyre u qe dhënë toka

e asnjë i huaj nuk kaloi mes tyre.

20 Keqbërësin e kaplon ankthi përditë

e mujshari i ka vitet të numëruara.

21 Klithma e tmerrit i gjëmon në veshë

e kur është i qetë e sulmon kusari.

22 Ai nuk shpreson se mund të dalë nga terri

dhe e di se shpata e pret.

23 Bredh e kërkon bukë: “Ku ka?”,

por e di se i erdhi dita e zezë.

24 Ankthi e mundimi e tmerrojnë

dhe e mposhtin, si mbreti i gatshëm për sulm.

25 Ngre dorë kundër Perëndisë,

krekoset kundër të gjithëpushtetshmit,

26 sulet kundër tij kryeneç,

i mbrojtur me shqyt të trashë,

27 me fytyrë të majme

e me dhjamë në ijë.

28 Banonte në qytetin plojë,

në shtëpi të shkretuara, kthyer në rrënoja.

29 Nuk do të pasurohet e nuk do t’i zgjasë fati,

as do të zërë rrënjë në dhec.

30 Nuk do t’i shpëtojë errësirës,

sythat zjarri do t’ia thajë

e lulet era do t’ia marrë.

31 Të mos i zërë besë kotësisë e të mos gënjehet,

se me kotësi do të shpërblehet.

32 Pa i ardhur dita do të vyshket

e nuk do të harliset dega e tij.

33 Do të shkundet si hardhia para se të piqet rrushi,

e si ulliri në lule do të harret.

34 Shoqëria e të pafeve është shterpë

dhe shtëpinë e mitëmarrësit zjarri e përlan.

35 Kush ngjiz trazirë, pjell ligësi

e në barkun e tyre gatitet mashtrimi».


 c15.29 të tjerë: as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet