1 «Pse i gjithëpushtetshmi nuk e caktoi një kohë
dhe ata që e njohin ditët e tij s’i shohin?
2 Të paudhët lëvizin kufijtë,
rrëmbejnë tufat e i kullotin.
3 Jetimëve ua marrin gomarin,
të vesë kaun i marrin peng.
4 Dëbojnë nga udha nevojtarët
e skamnorët e dheut bashkë fshihen prej tyre.
5 Ja, si gomarët e egër në shkretëtirë
për punë dalin e kërkojnë ushqim
dhe djerrina ushqim u jep për fëmijë.
6 Ndër ara ushqim mbledhin,
ia vjelin të paudhit vreshtin.
7 Cullak e kalojnë natën, pa u veshur,
e në të ftohtë mbulojë nuk kanë.
8 I lag shiu i malit
e shkëmbit i qepen për strehim.
9 Të paudhët nga mëkimi ndajnë jetimët
e gjënë e skamnorit peng e marrin.
10 Pa petka ecin zhveshur
e të uritur duajt mbartin.
11 Në zagna vajin e shtrydhin,
shtrydhin rrush, por të etur mbeten.
12 Rënkojnë nga qyteti të sëmurët për vdekje,
të plagosurit çirren e kërkojnë ndihmë,
por Perëndia nuk i dëgjon këto përçartje.
13 Ata nuk e durojnë dritën,
s’i njohin rrugët e saj,
shtigjet e saj nuk i ndjekin.
14 Me dritë ngrihet vrasësi,
skamnorin vret e mjeranin
e, kur bie nata, është porsi kusar.
15 Syri i kurorëshkelësit përgjon në mugëtirë,
thotë: “Askush s’më sheh”
dhe mbulon fytyrën.
16 Në errësirë shtëpitë dhunon,
por ditën brenda mbyllet, pa e njohur dritën.
17 Për të gjithë ata mëngjesi është terrinë
e tmerret e saj mirë ata i njohin.
18 Pa ujë ata ngelin,
nëmur është toka e tyre
e vreshtat askush s’ua sheh.
19 Siç thajnë ujin e borës thatësira e vapa,
ashtu mëkatarin skëterra e përpin.
20 I harron barku i nënës, por i shijojnë krimbat.
Nuk lënë pas kujtim,
se ligësia këputet, siç këputet pema.
21 Ngacmojnë gruan beronjë
e të vesë s’ia bëjnë të mirën.
22 Por Perëndia të fortët me forcë i mban,
ringrihen kur s’kanë më shpresë për jetë.
23 U jep siguri e ata kanë mbështetje,
sytë hapur i mban mbi udhën e tyre.
24 Lartohen një grimë e pastaj s’janë më,
fundosen e vyshken si të gjithë,
porsi kokrra e grurit thahen.
25 Nëse s’është kështu, kush më përgënjeshtron
e fjalën poshtë ma hedh?».