Kundër shtypësve
1 «Mjerë ata që kurdisin ligësi
e vepra të mbrapshta në shtrojë.
Sa zbardh mëngjesi i kryejnë,
se e kanë në dorë t’i bëjnë.
2 Lakmojnë ara e i zaptojnë,
lakmojnë shtëpi e i rrëmbejnë.
Zhvasin burrin bashkë me shtëpinë e tij,
zhvasin njeriun e trashëgimin e tij.
3 Ndaj, kështu thotë Zoti:
“Ja, për këtë familje po kurdis një fatkeqësi
që nuk do ta hiqni dot qafe.
Kryelartë s’do të dilni prej saj,
se koha e kobshme po ju pret.
4 Atë ditë do të bëheni përrallë e do të vajtohet:
‘U shkatërruam! U shkatërruam!’.
Prona e popullit tim ndërruaka duar!
Ah, si më ikën duarsh!
Arat tona tradhtarëve u shkuan!”.
5 Ndaj askush s’do të hedhë short për ju
në bashkësinë e Zotit.
6 “Mos kumtoni!”, kumtojnë ata,
“Mos i kumtoni këto fjalë,
se nuk do të turpërohemi”.
7 Pse, o shtëpi e Jakobit, a thuheta:
“Zoti s’paska më durim!
Të tilla qenkan veprat e tij!”?
A nuk i sjellin mirësi fjalët e mia,
atij që ecën drejt?
8 Por, së fundi, populli imb
ngriti krye porsi armik.
Ia rrëmbeni gunën
atij që ecën udhës qetë
e që s’ka ndër mend të ndeshet.
9 Gratë e popullit tim i dëboni
nga shtëpitë e tyre të dashura.
Lavdinë time ua rrëmbeni
përherë fëmijëve të tyre.
10 Ngrihuni, ikni,
në këtë vend nuk ka prehje,
se u ndot, u rrënua,
hidhur u shkatërrua.
11 Këdo që shkon nga fryn era e gënjen:
“Do të kumtoj për verë e pije të forta!”,
ky popull e quan profet.
12 Do të të mbledh tok, o Jakob,
do t’i grumbulloj krejt tepricën e Izraelit.
Do t’i bashkoj porsi dhentë në vathë,
si kopetë nëpër kullota,
dhe do të gumëzhijë njerëzia.
13 Ai që çan udhën do t’u prijë,
do të çajnë e do të kapërcejnë,
nëpër porta do të hyjnë.
Mbreti do të hyjë para tyre
dhe Zoti në krye».