2 Pjetrit 2

Profetët dhe mësuesit e rremë

(Jd 4-13)

Në popull ka pasur edhe profetë të rremë, ashtu si edhe mes jush do të ketë mësues të rremë. Ata do të fusin fshehurazi mësime të cunguara, rrënimtare, e do të mohojnë edhe të Zotin që i bleu. Kështu do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. Shumë njerëz do të ndjekin fëlligështitë e tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet. Nga lakmia për para, ata do t’ju mashtrojnë me fjalë të sajuara. Por gjykimi i tyre, i vendosur qëmoti, nuk do të vonojë dhe shkatërrimi i tyre nuk do të dremisë.

Perëndia nuk kurseu as engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në humnerat e skëterrës, ku ruhen të lidhur me pranga në errësirë për ditën e gjykimit. Ai nuk kurseu as botën e lashtë, por kur solli përmbytjen mbi botën e të pafeve, shpëtoi vetëm Noeun, vetë i tetë, predikuesin e drejtësisë.

Dënoi me shkatërrim edhe qytetet e Sodomës dhe Gomorrës, duke i bërë hi dhe i bëri shembull për ata që në të ardhmen do të jetonin pa besim. Por shpëtoi Lotin e drejtë, i cili vuante nga sjellja e fëlligësht e të pafeve. Ky i drejtë jetonte mes tyre dhe shpirti i tij i drejtë mundohej dita-ditës kur shikonte me sy dhe dëgjonte me veshë veprat e tyre të paudha.

Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi ata që i janë përkushtuar atij dhe di t’i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjykimit, 10 sidomos ata që shkojnë pas lakmive të epsheve trupore dhe përbuzin pushtetin e Perëndisë. Ata janë të paturpshëm, përbuzës dhe njerëz që nuk kanë frikë të fyejnë fuqitë e lavdishme qiellore, 11 ndërsa engjëjt që janë më të mëdhenj për nga forca dhe pushteti nuk sjellin para Zotit gjykime fyese kundër tyre. 12 Por ata janë pa mend, si kafshët që lindin për t’u kapur e për t’u therur. Ata flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të shkatërrohen po ashtu si kafshët; 13 do të marrin shpagimin e padrejtësisë. Ata e kanë për kënaqësi kur e kalojnë ditën në shthurje. Është njollë e turp që ata të marrin pjesë në darkat tuaja kur vazhdojnë ende të kënaqen në mashtrimet e tyre. 14 Sytë i kanë plot dëshirë për të bërë tradhti bashkëshortore dhe nuk pushojnë së mëkatuari. Mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, zemrën e kanë të stërvitur për lakmi dhe janë bij mallkimi. 15 Ata e lanë udhën e drejtë dhe u mashtruan e shkuan pas udhës së Balaamit, birit të Bosorit, që donte të fitonte duke bërë padrejtësi. 16 Por ai u ndëshkua për paudhësinë e tij, sepse kafsha pa gojë foli si njeri dhe e pengoi marrëzinë e profetit. 17 Këta janë burime pa ujë dhe re që shtyhen nga era, për të cilët është ruajtur terri i errësirës. 18 Me fjalë të fryra e të kota bëjnë për vete me anë të kënaqësive trupore dhe me anë të fëlligështive ata që sapo kishin shpëtuar prej atyre që jetojnë në mashtrim. 19 U premtojnë liri kur ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse njeriu bëhet skllav i atij që e mposht.

20 Nëse ata që u larguan nga ndyrësitë e botës nëpërmjet njohjes së Zotit dhe të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht ngatërrohen përsëri me këto gjëra dhe mposhten nga ato, atëherë gjendja e tyre e fundit bëhet më e keqe se e para. 21 Do të ishte më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, sesa pasi e njohën, ta braktisin urdhërimin e shenjtë që iu dha. 22 Këtu ndodh si te ajo fjala e urtë dhe e vërtetë:

«Qeni u kthye

në të vjellat e veta»

dhe:

«Dosa e larë u kthye

të zhgërryhet sërish në llucë».