2 Mbretërve 25

Robërimi në Babiloni

Në ditën e dhjetë të muajit të dhjetë të vitit të nëntë të mbretërimit të Sedekisë, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij për të sulmuar Jerusalemin, ngriti fushimin përballë qytetit dhe ngriti një mur rrethues rreth e rrotull tij. Qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të Sedekisë. Ditën e nëntë të muajit të katërt uria u bë aq e rëndë në qytet, saqë nuk kishte më ushqim për popullin. Atë ditë u bë një e çarë në muret e qytetit dhe të gjithë luftëtarët u larguan natën nga qyteti në drejtim të Arabahut përmes portës që ndodhej mes dy mureve, pranë kopshtit të mbretit, ndonëse kaldenjtë e mbanin qytetin të rrethuar. Ushtarët e kaldenjve e ndoqën pas mbretin dhe e kapën në fushën e Jerikosë. Mbretin e kishte braktisur e gjithë ushtria e tij. Ata e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku edhe i shpallën dënimin. Bijtë e Sedekisë i vranë para syve të tij, ndërsa vetë Sedekisë i nxorën sytë, e lidhën me vargonj prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.

Në ditën e shtatë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit në Babiloni, Nebuzaradani, kreu i truprojës dhe nëpunës i mbretit të Babilonisë, hyri në Jerusalem. Ai dogji tempullin e Zotit, pallatin mbretëror dhe u vuri zjarrin të gjitha shtëpive të Jerusalemit, veçanërisht shtëpive të fisnikëve. 10 Mbarë ushtria e kaldenjve bashkë me kreun e truprojës shkatërruan muret e qytetit. 11 Pjesën tjetër të popullit, ata që i ishin dorëzuar mbretit të Babilonisë dhe mbarë popullin e mbetur Nebuzaradani, kreu i truprojës, i shpërnguli në mërgim. 12 Ai la pas vetëm disa nga më të varfrit e vendit për vreshtari e bujqësi.

13 Kaldenjtë copëtuan shtyllat e bronzit, bazat dhe detin prej bronzi, që ishin në tempullin e Zotit dhe bronzin e çuan në Babiloni. 14 Morën edhe rrethjet, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha pajisjet prej bronzi që përdoreshin për shërbesat e tempullit. 15 Kreu i truprojës mori të gjitha pajisjet prej ari dhe argjendi, bashkë me mangallët dhe me kupat e arta. 16 Pesha e bronzit të të gjitha pajisjeve që kishte punuar Solomoni për tempullin e Zotit, të të dy shtyllave, të detit prej metali dhe të bazave, nuk mund të llogaritej. 17 Lartësia e secilës shtyllë ishte nëntë metra dhe lartësia e krythave që ndodheshin mbi to, ishte nga një metër e gjysmë. Krythat ishin të rrethuara me rrjeta të thurura dhe me vargje shegësh, të gjitha prej bronzi. Edhe shtylla tjetër kishte të njëjtat zbukurime.

18 Kreu i truprojës mori robër edhe kryepriftin Serajah, priftin e dytë Sofoni dhe tre rojtarët e pragut të tempullit. 19 Nga qyteti mori robër zyrtarin që mbikëqyrte luftëtarët, pesë këshilltarë të mbretit, që i gjeti në qytet, shkruesin e kreut të ushtrisë, që thërriste ushtarë djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë nga ata që u gjendën në qytet. 20 Nebuzaradani, kreu i truprojës, i zuri robër dhe ia çoi mbretit të Babilonisë në Riblah. 21 Atëherë mbreti i Babilonisë i goditi për vdekje në Riblah, në vendin e Hamatit. Kështu, populli i Judës u shpërngul nga dheu i vet.

Gedaliahu, qeveritar i Judës

22 Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e la një pjesë të popullit të qëndrojë në tokën e Judës dhe u caktoi si qeveritar Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit. 23 Kur krerët e grupimeve të mbetura ushtarake dëgjuan se mbreti i Babilonisë kishte caktuar qeveritar Gedaliahun, shkuan tek ai në Micpah. Këta ishin Ishmaeli, biri i Netanjahut, Johanani, biri i Kareahut, Serajahu, biri i Tanhumetit, netofatitit, dhe Jazanjahu, biri i Makatitit, bashkë me luftëtarët e tyre. 24 Atëherë Gedaliahu iu përbetua atyre dhe luftëtarëve të tyre e u tha: «Mos kini frikë nga zyrtarët kaldenj. Banoni në tokën tuaj, i shërbeni mbretit të Babilonisë dhe do të jeni mirë». 25 Por në muajin e shtatë, Ishmaeli, biri i Netanjahut, të birit të Elishamait, që kishte prejardhje mbretërore, erdhi me dhjetë burra dhe e goditi Gedaliahun për vdekje. Gedaliahu vdiq bashkë me judenjtë dhe kaldenjtë që ishin me të në Micpah. 26 Atëherë mbarë populli, i madh e i vogël, bashkë me krerët e ushtrisë, u ngritën e shkuan në Egjipt nga frika e kaldenjve.

Lirimi i Jehojakinit

27 Tridhjetë e shtatë vjet pas shpërnguljes në robëri të Jehojakinit, mbretit të Judës, Evil Merodaku u bë mbret i Babilonisë. Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dymbëdhjetë të atij viti, ai e liroi nga burgu Jehojakinin, mbretin e Judës. 28 Ai fliste me dashamirësi me Jehojakinin dhe i caktoi një fron më të lartë se mbretërit e tjerë që ishin me të në Babiloni. 29 Jehojakini ndërroi rrobat e burgut dhe hëngri në një tryezë me mbretin deri në fund të jetës. 30 Sa qe gjallë, mbreti i Babilonisë i jepte çdo ditë sasinë e caktuar të gjërave që i nevojiteshin.