Kremtimi madhështor i Pashkës
1 Josia kremtoi Pashkën në nder të Zotit në Jerusalem. Pashkën e flijuan në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. 2 Josia u caktoi detyrat priftërinjve dhe i nxiti të shërbenin në tempullin e Zotit. 3 Levitëve, të shenjtëruarve të Zotit, që kishin për detyrë të mësonin popullin, u tha: «Vendoseni arkën e shenjtë në tempullin që ndërtoi Solomoni, biri i Davidit, mbretit të Izraelit. Që tani e tutje nuk do ta mbartni më arkën në krahë dhe do të jeni në shërbim të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe të popullit të tij, Izraelit. 4 Ndahuni sipas vëllazërive e sipas rangjeve tuaja, ashtu siç ka shkruar Davidi, mbreti i Izraelit, dhe biri i tij, Solomoni. 5 Të ndarë sipas rangjeve të levitëve, shërbejuni në shenjtërore bijve të popullit tuaj, sipas ndarjeve dhe sipas klaneve të vëllazërive. 6 Kushtoni Pashkën, shenjtërohuni dhe vihuni në shërbim të vëllezërve tuaj, për të zbatuar fjalën e Zotit që u dha përmes Moisiut».
7 Josia i dhuroi popullit që ndodhej aty për të kremtuar Pashkën tridhjetë mijë bagëti të imëta, qengja e keca, dhe tri mijë bagëti të trasha, të gjitha nga pasuria e mbretit. 8 Edhe zyrtarët e mbretit i dhuruan popullit, priftërinjve e levitëve. Hilkiahu, Zakaria e Jehieli, zyrtarët e tempullit të Perëndisë u dhanë priftërinjve dy mijë e gjashtëqind qengja dhe treqind bagëti të trasha për të kushtuar Pashkën. 9 Prijësit e levitëve, Konanjahu, Shemajahu e Netaneli, vëllezërit e tij, Hashabiahu, Jejeli e Jozabadi u dhuruan levitëve pesë mijë qengja për të kushtuar Pashkën dhe pesëqind bagëti të trasha.
10 Kështu, shërbesa ishte gati. Priftërinjtë kishin zënë vendet dhe levitët ishin ndarë në rangje, sipas urdhrit të mbretit. 11 Pastaj kushtuan Pashkën. Priftërinjtë e merrnin gjakun nga duart e tyre për të kryer spërkatjen, ndërsa levitët kryenin rrjepjen. 12 Flitë e shkrumbimit i ndanë veç e ia dhanë popullit sipas klaneve për t’ia kushtuar Zotit, siç është shkruar në librin e Moisiut. Të njëjtën gjë bënë edhe me bagëtitë e trasha. 13 Flinë e Pashkës e poqën në zjarr sipas rregullave, ndërsa flitë e shenjta i zien nëpër kusi, nëpër kazanë e nëpër tiganë dhe ia shpërndanë menjëherë mbarë popullit. 14 Mandej levitët përgatitën pjesën që u takonte priftërinjve dhe vetë atyre, sepse priftërinjtë, që ishin pasardhës të Aronit, kushtuan fli shkrumbimi e dhjami deri në mbrëmje. Prandaj, levitët përgatitën pjesën që u takonte vetë atyre dhe priftërinjve, pasardhësve të Aronit. 15 Këngëtarët, pasardhësit e Asafit, qëndruan në vendet e tyre, sipas udhëzimeve të Davidit, të Asafit, të Hemanit e të Jedutunit, vegimtarit të mbretit. Edhe derëtarët qëndruan te portat dhe askujt nuk i lejohej të largohej nga shërbimi. Levitët, vëllezërit e tyre, bënë gati edhe pjesën që u takonte atyre.
16 Atë ditë tërë shërbesa e Zotit u përgatit për të kremtuar Pashkën dhe për të kushtuar flitë e shkrumbimit mbi altarin e Zotit, sipas urdhrit të mbretit Josi. 17 Izraelitët që u ndodhën aty e kremtuan Pashkën dhe festën e Bukëve të ndorme për shtatë ditë. 18 Një Pashkë e tillë nuk ishte kremtuar në Izrael që nga koha e profetit Samuel. Asnjë nga mbretërit e mëparshëm të Izraelit nuk e kishte kremtuar Pashkën si Josia me priftërinjtë, me levitët, me mbarë popullin e Judës dhe të Izraelit, që ishte gjendur aty, dhe me banorët e Jerusalemit. 19 Ajo Pashkë u kremtua në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josisë.
Fundi i mbretërimit të Josisë
20 Pas këtyre ngjarjeve, pasi Josia kishte përtërirë tempullin, Nekohu, mbreti i Egjiptit, erdhi për të sulmuar në Karkemish, në brigjet e Eufratit. Josia marshoi kundër tij. 21 Nekohu i dërgoi lajmëtarë Josisë për t’i thënë: «Nuk kam punë me ty, o mbret i Judës! Nuk do ta sulmoj sot shtëpinë tënde, sepse jam nisur për të luftuar kundër një shtëpie tjetër e Perëndia më ka thënë të shkoj me nxitim. Mos e kundërshto, pra, Perëndinë, sepse është me mua dhe ka për të të shkatërruar». 22 Por Josia nuk u tërhoq. U maskua e u nis për sulm, pa ua vënë veshin fjalëve të Perëndisë të thëna prej Nekohut. Kështu, Josia shkoi të ndeshet me Nekohun në luginën e Megidosë. 23 Por Josia mbeti i plagosur nga shigjetarët, prandaj u kërkoi shërbëtorëve të tij ta largonin nga beteja, sepse ishte plagosur rëndë. 24 Shërbëtorët e zbritën nga karroca e luftës, e hipën në një karrocë tjetër dhe e sollën në Jerusalem. Josia vdiq dhe e varrosën në varret e paraardhësve të tij. Mbarë Juda dhe Jerusalemi vajtuan për Josinë. 25 Edhe Jeremia shkroi një vajtim për Josinë. Të gjithë vajtuesit dhe vajtueset e përkujtojnë Josinë në vajtimet e tyre edhe sot e kësaj dite. Këto vajtime u bënë pjesë e dokeve të Izraelit dhe u shkruan në librin e Vajtimeve. 26 Bëmat e tjera të Josisë, besnikëria e tij ndaj gjithçkaje të shkruar në ligjin e Zotit, 27 veprat e tij, të hershmet e të vonshmet, janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit e të Judës.