Ëndrra e oborrtarëve
1 Pas këtyre ngjarjeve, kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit bënë faj ndaj zotërisë së tyre, mbretit të Egjiptit. 2 Faraoni u zemërua me të dy oborrtarët e tij, me të parin e kupëmbajtësve e me të parin e bukëpjekësve. 3 I futi në burg, në të njëjtin vend ku ishte i burgosur edhe Jozefi, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. 4 Ky u caktoi Jozefin që t’u shërbente. Ata mbetën të burgosur për njëfarë kohe. 5 Një natë kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të burgosur, panë nga një ëndërr dhe secila kishte kuptimin e vet. 6 Kur Jozefi erdhi tek ata në mëngjes, pa se ishin të shqetësuar. 7 Atëherë i pyeti oborrtarët e faraonit që ishin të burgosur bashkë me të: «Përse jeni kaq të mërzitur sot?». 8 Ata thanë: «Pamë nga një ëndërr, por nuk ka kush të na i shpjegojë». Por Jozefi u tha: «A nuk e di Perëndia kuptimin e ëndrrave? M’i tregoni, pra, ëndrrat!».
9 Atëherë i pari i kupëmbajtësve tregoi ëndrrën e vet: «Në ëndërr pashë një hardhi përpara meje. 10 Hardhia kishte tri degë e posa filloi të bulojë, lulet çelën e vilet e rrushit u poqën. 11 Në dorë kisha kupën e faraonit. I kapa vilet e rrushit, i shtrydha në kupë e ia dhashë faraonit në dorë». 12 Jozefi i tha: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri degët janë tri ditë. 13 Brenda tri ditësh faraoni do të të falë, do të të rikthejë në detyrën që kishe e ti do t’ia japësh kupën në dorë, ashtu siç bëje më parë kur ishe kupëmbajtësi i tij. 14 Por kur të jesh i lirë më kujto e tregohu mirëdashës me mua. Më përmend para faraonit që të më nxjerrësh nga burgu, 15 sepse me dhunë më rrëmbyen nga toka e hebrenjve. Edhe këtu nuk kam bërë asgjë që të meritoj burgun».
16 Kur i pari i bukëpjekësve pa se shpjegimi i ëndrrës ishte i mirë, i tha Jozefit: «Edhe unë pashë një ëndërr. Mbi krye kisha tri shporta me bukë. 17 Shporta e sipërme kishte gjithfarë ushqimesh të gatuara për faraonin, por po i hanin shpendët. Ato po hanin nga shporta që ishte mbi kokën time». 18 Jozefi iu përgjigj: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri shportat janë tri ditë. 19 Brenda tri ditësh faraoni do të ta presë kokën, do të të varë në pemë e shpendët do të të hanë trupin». 20 Ditën e tretë ishte ditëlindja e faraonit. Ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori para tyre të parin e kupëmbajtësve e të parin e bukëpjekësve. 21 Të parin e kupëmbajtësve e rikthehu në detyrë që t’i jepte kupën në dorë. 22 Ndërsa bukëpjekësin e vari, ashtu siç ua kishte shpjeguar Jozefi. 23 Mirëpo i pari i kupëmbajtësve nuk u kujtua për Jozefin. Ai e harroi atë.