Engjëlli i Zotit në Bokim
1 Engjëlli i Zotit shkoi nga Gilgali në Bokim e tha: «Ju nxora nga Egjipti dhe ju solla në tokën që u premtova etërve tuaj. Ju kam thënë se nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju. 2 Ju nuk duhej të bënit asnjë marrëveshje me banorët e kësaj toke dhe duhej të shkatërronit idhujt e tyre, por nuk më dëgjuat. Çfarë keni bërë? 3 Ja tek po ju them se nuk do t’i dëboj para jush. Ata do të jenë si gjemba në ijët tuaja dhe perënditë e tyre do të bëhen lak për ju». 4 Kur engjëlli i Zotit u tha këto fjalë izraelitëve, populli vuri kujën e vajtoi. 5 Atë vend e quajtën Bokim dhe atje i kushtuan fli Zotit.
Vdekja e Jozuehut
6 Jozuehu e shpërndau popullin dhe izraelitët shkuan nëpër pronat e tyre për të marrë në trashëgim tokën. 7 Populli i shërbeu Zotit për sa kohë qe gjallë Jozuehu dhe për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut e i dinin të gjitha veprat që kishte bërë Zoti për Izraelin. 8 Jozuehu, biri i Nunit e shërbëtori i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. 9 E varrosën në tokën që kishte për pronë në Timnah Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash. 10 I gjithë ai brez vdiq dhe u bashkua me etërit e vet. Pas tyre erdhi një brez i ri, që nuk njihte as Zotin, as veprat që ai kishte bërë për Izraelin.
Braktisja e Zotit
11 Izraelitët bënë ligësi në sytë e Zotit dhe u shërbyen Baalëve. 12 Ata e braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe u dhanë pas perëndive të tjerë, pas perëndive të kombeve që kishin përreth. U përkulën para këtyre perëndive dhe ndezën zemërimin e Zotit. 13 E braktisën Zotin e i shërbyen Baalit dhe Ashtarotës. 14 Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe ai i la në duart e kusarëve, që i plaçkitën dhe i shitën tek armiqtë që i rrethonin. Izraelitët nuk mundën t’u bëjnë ballë armiqve. 15 Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte fatkeqësi, ashtu siç kishte thënë Zoti dhe ashtu siç u ishte përbetuar. Izraelitët ishin në mjerim të madh.
16 Atëherë Zoti nxori gjyqtarë, që t’i shpëtonin nga dora e kusarëve. 17 Ata nuk i dëgjuan as gjyqtarët, por kurvëruan me perëndi të tjerë dhe përkuleshin para tyre. Shumë shpejt e lanë udhën ku kishin ecur etërit e tyre, që i kishin mbajtur urdhërimet e Zotit, dhe nuk vepruan si ata. 18 Kur Zoti u jepte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i çlironte nga dora e armiqve gjatë gjithë jetës së gjyqtarit. Zoti prekej nga rënkimet, shkaktuar nga ata që i shtypnin e i mundonin. 19 Por, kur gjyqtari vdiste, ata kthenin sërish udhë dhe shthureshin më shumë se etërit e tyre, duke shkuar pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre. Nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga udha e tyre e mbrapshtë. 20 Zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe ai tha: «Meqenëse ky komb e ka shkelur besëlidhjen që kisha bërë me etërit e tyre dhe nuk më është bindur, 21 as unë nuk do të dëboj para tyre asnjë nga popujt, që la Jozuehu kur vdiq. 22 Me anë të tyre do ta vë në provë Izraelin, që të shoh nëse do ta ruajnë apo jo udhën e Zotit, që të ecin nëpër të, ashtu siç bënë etërit e tyre». 23 Kështu, Zoti i la këto kombe dhe nuk i dëboi shpejt e as nuk ia dorëzoi Jozuehut.