Joshafati cakton gjyqtarë
1 Joshafati, mbreti i Judës, u kthye shëndoshë e mirë në shtëpinë e vet në Jerusalem. 2 Jehu, vegimtari, biri i Hananiut, i doli përpara mbretit Joshafat e i tha: «Përse shkove të ndihmosh të paudhin? Përse deshe ata që urrejnë Zotin? Për këtë që bëre, zemërimi i Zotit do të bjerë mbi ty. 3 E megjithatë, ti ke bërë edhe vepra të mira, sepse i hoqe prej vendit shtyllat e Asherasë dhe je përpjekur me gjithë zemër t’i përkushtohesh Perëndisë».
4 Joshafati banonte në Jerusalem. Pastaj shkoi përsëri mes popullit, nga Bersheba e deri në malësinë e Efraimit, dhe e ktheu popullin te Zoti, Perëndia i etërve të tyre. 5 Ai caktoi gjyqtarë anembanë vendit, në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës dhe në çdo qytet 6 e u tha: «Kujdes si veproni. Nuk do të gjykoni në emër të njerëzve, por në emër të Zotit, i cili do të jetë me ju kur të merrni vendimet. 7 Kini frikën e Zotit dhe bëjeni detyrën me kujdes, sepse te Zoti, Perëndia ynë, nuk ka as padrejtësi, as anësi e as mitëmarrje».
8 Joshafati caktoi edhe në Jerusalem disa levitë, priftërinj dhe krerë të familjeve të Izraelit, që të gjykonin në emër të Zotit mosmarrëveshjet e banorëve të Jerusalemitç. 9 Ai u dha këtë urdhër: «Veproni me drojën e Zotit, me besnikëri e me zemër të çiltër. 10 Për çdo mosmarrëveshje, që do t’ju parashtrohet nga vëllezërit tuaj, që banojnë nëpër qytete, çështje gjaku, çështje ligji, urdhërimesh, rregullash apo vendimesh, do t’u kujtoni të mos bëhen fajtorë para Zotit që zemërimi i tij të mos bjerë mbi ju e mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu e do të jeni të pafajshëm. 11 Kryeprifti Amarjah do të jetë mbikëqyrësi juaj për çdo çështje që ka lidhje me Zotin, ndërsa Zebadjahu, biri i Ishmaelit, që është prijësi i shtëpisë së Judës, do të jetë mbikëqyrësi për çdo çështje që ka lidhje me mbretin. Levitët do të jenë në shërbimin tuaj. Veproni me guxim dhe Zoti qoftë me atë që bën të mirën».