Davidi dhe Cibai
1 Davidi sapo kishte kaluar majën e malit, kur i doli para Cibai, shërbëtori i Mefiboshetit, me dy gomarë të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta verore dhe një kacek verë. 2 Mbreti i tha Cibait: «Për çfarë të duhen këto?». Cibai iu përgjigj: «Gomarët do t’i shërbejnë shtëpisë së mbretit për rrugëtimin, buka dhe frutat do të jenë ushqim për të rinjtë, ndërsa vera, pije për ata që do të këputen nga lodhja e shkretëtirës». 3 Mbreti i tha: «Ku është biri i zotërisë sate?». Cibai iu përgjigj: «U ndal në Jerusalem, sepse mendon se sot shtëpia e Izraelit do t’ia kthejë mbretërinë e të atit». 4 Mbreti i tha Cibait: «Qoftë e jotja, pra, gjithçka që i përkiste Mefiboshetit!». Cibai iu përgjigj: «Përkulem para teje. Gjetsha hir në sytë e tu, o imzot, mbret».
Shimei mallkon Davidin
5 Kur mbreti David mbërriti në Bahurim, i doli para një burrë prej farefisit të Saulit. Ai quhej Shime dhe ishte biri i Gerait. Shimei ecte e mallkonte 6 dhe hidhte gurë kundër Davidit, kundër mbarë popullit dhe kundër të gjithë luftëtarëve djathtas e majtas mbretit. 7 Shimei mallkonte e thoshte: «Ik, ik, o njeri gjakatar, o njeri i poshtër! 8 Zoti e hodhi mbi ty të gjithë gjakun e shtëpisë së Saulit, sepse i more mbretërinë. Zoti ia dha mbretërimin birit tënd, Absalomit. Të gjeti e zeza, se je njeri gjakatar».
9 Atëherë Abishai, biri i Cerujahut, i tha mbretit: «Pse po e mallkon zotërinë tim, mbretin, ky qen i ngordhur? Më lër t’ia pres kokën!». 10 Por mbreti i tha: «Ç’punë kam unë me ju, o bijtë e Cerujahut? Nëse ai po mallkon, sepse i ka thënë Zoti të mallkojë Davidin, atëherë kush mund t’i thotë: “Përse po mallkon?”». 11 Davidi i tha Abishait dhe të gjithë shërbëtorëve të tij: «Edhe im bir, që ka dalë prej meje, kërkon të ma marrë jetën! Aq më tepër ky benjaminas. Lëreni të mallkojë, se kështu i ka thënë Zoti. 12 Ndoshta Zoti e sheh mjerimin tim dhe, në vend të mallkimit të sotëm, më sjell bekim». 13 Atëherë Davidi dhe luftëtarët e tij vijuan rrugën, ndërsa Shimei ecte shpatit të malit, krahas tyre, duke mallkuar, duke gjuajtur me gurë e duke ngritur pluhur. 14 Mbreti e mbarë populli mbërritën të këputur dhe aty morën veten.
Absalomi në Jerusalem
15 Absalomi dhe të gjithë izraelitët që ishin me të hynë në Jerusalem. Edhe Ahitofeli erdhi me të. 16 Kur Husha Arkiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, i tha: «Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!». 17 Atëherë Absalomi e pyeti Hushain: «Kjo është besnikëria jote ndaj mikut tënd? Pse nuk shkove me mikun tënd?». 18 Hushai iu përgjigj Absalomit: «Jo! Unë jam me atë që ka zgjedhur Zoti, ky popull e mbarë Izraeli. Atij i përkas dhe me të do të qëndroj. 19 Për më tepër, kujt po i shërbej? A nuk po i shërbej birit të tij? Siç i kam shërbyer tyt eti, ashtu do të të shërbej edhe ty».
20 Atëherë Absalomi i tha Ahitofelit: «Këshillohuni se ç’duhet të bëjmë». 21 Ahitofeli i tha Absalomit: «Shko me shemrat e tyt eti që ai i la për të ruajtur shtëpinë. Kur ta marrë vesh mbarë Izraeli si e ke turpëruar tët atë, përkrahësit e tu do të marrin forcë». 22 Atëherë ngritën në tarracë një tendë për Absalomin dhe ai shkoi me shemrat e të atit para syve të mbarë Izraelit. 23 Këshilla që jepte asokohe Ahitofeli ishte si fjala e Perëndisë. Këshilla e Ahitofelit vlerësohej shumë si në kohën e Davidit, ashtu edhe në kohën e Absalomit.