1 Aleluja!
Lavdëro Zotin, o shpirti im!
2 Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën,
do t’i këndoj Perëndisë tim derisa të jem gjallë.
3 Mos kini besim te prijësit,
apo te ndonjë bir njeriu,
prej të cilit s’vjen shpëtim.
4 Se, kur jep shpirt, kthehet në dhe,
atë ditë marrin fund synimet e tij.
5 Lum ai që ka për ndihmë Perëndinë e Jakobit,
që e ka shpresën te Zoti, Perëndia i tij.
6 Ai krijoi qiellin e tokën,
detin dhe gjithçka në to,
ai mbetet besnik përjetë.
7 Drejtësi u jep të shtypurve,
ushqim u jep të uriturve,
Zoti çliron të robëruarit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve,
Zoti i ngre të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët.
9 Zoti i mbron të ardhurit,
përkrah jetimët e të vejat
dhe mëkatarëve ua pështjellon udhën.
10 Zoti do të mbretërojë përjetë,
Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi.
Aleluja!