1 Psalm i Davidit.
Mirësisë e drejtësisë do t’i këndoj,
ty do të të thur himne, o Zot.
2 Do të ndjek me urti udhën e përsosur,
kur do të vish tek unë?
Do të jetoj me zemër të pastër,
brenda në shtëpinë time.
3 S’do të mbaj para syve asgjë të pavlerë,
e urrej veprën e dinakut,
një gjë e tillë nuk do të më prekë.
4 Do ta mbaj larg zemrën e shthurur,
për të keqen nuk dua as t’ia di.
5 Atë që të afërtin tinëz e përflet do ta shfaros,
mendjemadhin e kryelartin s’do ta duroj.
6 Kërkoj me sy besnikët e vendit,
ata do të banojnë me mua;
ai që ecën udhës së përsosur,
ai do të jetë shërbëtori im.
7 Mashtruesi s’ka për të banuar brenda shtëpisë sime,
kush flet rrena nuk do të qëndrojë para syve të mi.
8 Në mëngjes do të shfaros gjithë të këqijtë e vendit,
që t’i zhbij prej qytetit të Zotit
të gjithë ata që bëjnë paudhësi.