Gjyqtarët 5

Kënga e Deborës

Atë ditë Debora dhe Baraku, biri i Abinoamit, kënduan këtë këngë:

«Kur krelat nuk priten në Izraelb,

kur populli kushtohet me gjithë shpirt,

bekojeni Zotin.

Dëgjoni, o mbretër, mbani vesh, o prijës!

Unë do t’i këndoj Zotit,

do t’i thur himne Zotit, Perëndisë së Izraelit.

Zot, kur dole prej Seirit,

kur marshove prej fushës së Edomit,

u trondit toka, pikuan qiejt,

retë rrëke ujërash derdhën.

Para Zotit të Sinait u drodhën maletc,

para Zotit, Perëndisë së Izraelit.

Në ditët e Shamgarit, birit të Anatit,

në ditët e Jaelës, të shkreta mbetën udhët,

kalimtarët shkuan shtigjeve gjarpëruese.

Mungonin bujqit në Izrael,

mungonin, derisa dola unë, Debora,

derisa dola unë, nënë e Izraelit!

Zgjodhën perëndi të reja,

e lufta u erdhi te dera!

Shqyt nuk u pa kurrkund, as shtizë,

ndër dyzet mijë burrat e Izraelit.

Zemra ime është me prijësit e Izraelit,

me popullin që u kushtua me gjithë shpirt.

Bekojeni Zotin!

10 Ju që kalëroni mbi gomarica të bardha,

ju që rrini ulur mbi qilima,

ju që shkoni udhës, kumtojeni!

11 Nga zëri i atyre që ndajnë ujin lugjeve,

shpallen veprat e drejta të Zotit,

veprat e tij të drejta për bujqit e Izraelit,

teksa populli i Zotit zbret te portat e qytetit.

12 Ngrihu, o Deborë, ngrihu!

Ngrihu e merrja këngës!

Çohu, o Barak, o biri i Abinoamit,

e robëruesit robër bëji.

13 E kush kishte mbetur u bashkua me fisnikët,

tek unë populli i Zotit erdhi,

atje mes të fortëve.

14 Prej Efraimit erdhën ata, që rrënjët në Amalek i kishin,

pas teje Benjamini u bashkua me popullin tënd,

prej Makirit zbritën prijësit,

prej Zabulonit marshuan luftëtarët, që skeptrin mbanin.

15 Prijësit e Isaharit erdhën me Deborën,

ashtu si Baraku, edhe Isahari

nxitonte pas tij mes përmes luginës.

Mes njësive të Rubenit

vendosnin me gjithë zemër.

16 Përse u ndale nëpër zjarret e staneve?

Për të dëgjuar fyellin tek thërriste tufat?

Mes njësive të Rubenit

hetonin me gjithë zemër.

17 Gileadi përtej Jordanit pushonte,

po Dani, përse nëpër anije endet?

Asheri banonte brigjeve të detit

e porteve të tij mbeti.

18 Zabuloni një popull, që jetën në rrezik vuri,

Neftaliun nëpër rrafshnalta, vdekja nuk e trembi.

19 Erdhën mbretërit në betejë,

mbretërit e Kanaanit luftuan në Tanak,

pranë ujërave të Megidosë,

e plaçkë argjendi me vete s’morën.

20 Prej qiellit luftuan edhe yjet,

prej orbitave të veta u ndeshën me Siserin.

21 I përlau përroi i Kishonit,

përrua i lashtë përroi i Kishonit.

Marsho tërë forcë, o shpirti im!

22 Trokëllitën thundrat e kuajve

nga vrapimi i vrullshëm i kalorësve trima.

23 “Mallkojeni Merozin”, tha engjëlli i Zotit,

“mallkojini, mallkojini banorët e tij,

se nuk i erdhën në ndihmë Zotit,

në ndihmë Zotit dhe trimave të tij”.

24 Bekuar qoftë ndër gratë Jaela, gruaja e Heber Kenitit!

Ndër gratë, që në tenda banojnë, e bekuar qoftë!

25 Ujë i kërkoi e ajo qumësht i dha,

në një kupë princash ajkë i solli.

26 Dora e saj kunjin kapi,

e djathta çekiçin rrëmbeu,

Siserin goditi, kafkën ia çau,

tëmthat tejpërtej ia shpoi.

27 Te këmbët e saj u plandos,

ra e u shtri përtokë,

te këmbët e saj u plandos e u dergj,

atje u këput, aty i vdekur ra.

28 Nga dritarja vrojtonte nëna e Siserit,

nga hekurat e dritares thërriste:

“Përse vonon të kthehet qerrja jote?

Përse kaq e ngadaltë trokëllima e thundrave?”.

29 I përgjigjen princeshat e saj fisnike,

por ajo sërish me vete thotë:

30 “Kanë gjetur plaçkë e mes tyre po e ndajnë,

nga një a dy vajza për çdo luftëtar,

plaçkë lufte tërë ngjyra për Siserin,

plaçkë tërë ngjyra qëndisur,

tërë ngjyra qëndisur për shpatullat e plaçkitësit”.

31 Kështu le të shfarosen të gjithë armiqtë e tu, o Zot,

e ata që të duan, të fortë si dielli qofshin!».

Vendi pati paqe për dyzet vjet.


 b5.2 të tjerë: Me qenë se krerët kanë marrë komandën në Izrael

 c5.5 të tjerë: edhe vetë Sinai u drodh para Zotit