Jakobi 3

Gjuha

Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë prej jush mësues, sepse e dini se do të gjykohemi më ashpër, duke qenë se gabojmë në shumë gjëra. Nëse dikush nuk gabon me fjalë, atëherë ai është njeri i përsosur dhe i aftë për të sunduar gjithë trupin e tij.

Ja, kuajve ua vëmë frerët në gojë, që të na binden e t’u drejtojmë të gjithë trupin. Shikoni edhe anijet! Megjithëse janë aq të mëdha e shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon i vogël atje ku dëshiron timonieri. Kështu edhe gjuha është gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha.

Ja ç’pyll të madh mund të djegë një zjarr i vogël! Gjuha është zjarr e botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej Gehenës. Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur. Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës. Me të bekojmë Zotinb e Atin dhe po me të mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë. 10 Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu. 11 A mund të dalë nga i njëjti burim ujë i ëmbël dhe i hidhur? 12 O vëllezërit e mi, a mund të prodhojë fiku ullinj apo hardhia fiq? Kështu, as burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël.

Urtia prej së larti

13 Cili nga ju është i urtë e i mençur? Ai le ta tregojë këtë me sjelljen e tij të mirë dhe me veprat e bëra me butësi e me urti. 14 Nëse keni në zemër smirë të hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mburrni e mos gënjeni kundër së vërtetës. 15 Kjo lloj urtie nuk vjen nga lart, por është tokësore, shqisore e djallëzore. 16 Atje ku ka smirë e grindje, ka trazirë dhe gjithfarë gjërash të liga. 17 Ndërsa urtia që vjen nga lart, së pari është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me mëshirë dhe me fryte të mira, e paanshme e jo hipokrite. 18 Fryti i drejtësisë mbillet paqësisht nga ata që bëjnë paqen.


 b3.9 dorëshk. të tjera: Perëndinë