Gjoni 1

Mishërimi i Fjalës

Në fillim ishte Fjala.

Fjala ishte me Perëndinë.

Fjala ishte Perëndi.

Fjala ishte që në fillim

me Perëndinë.

Gjithçka u bë nëpërmjet tij

dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të.

Në të gjendej jeta

dhe jeta ishte drita e njerëzve.

Drita ndriçon në errësirë

dhe errësira nuk e mundi dota.

Perëndia dërgoi një njeri

që quhej Gjon.

Ai erdhi të jepte dëshmi

për dritën,

që të gjithë të besojnë

nëpërmjet tij.

Ai nuk ishte drita,

por dëshmitar i dritës.

Fjala ishte drita e vërtetë,

e cila vjen në botë

dhe ndriçon çdo njeri.

10 Ai ishte në botë

dhe bota u bë

nëpërmjet tij,

por bota nuk e njohu.

11 Ai erdhi te të vetët,

por të vetët nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

dhe besuan në emrin e tij,

u dha të drejtën

të bëhen bij të Perëndisë.

13 Ata nuk lindën prej gjakut,

as prej vullnetit njerëzor

a prej dëshirës së burrit,

por prej Perëndisë.

14 Dhe Fjala u mishërua

e banoi mes nesh.

Ne e pamë lavdinë e tij,

lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit,

plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje».

16 Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij. 17 Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit. 18 Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur.

Dëshmia e Gjon Pagëzorit

(Mt 3.1-12; Mk 1.2-8; Lk 3.15-17)

19 Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj e levitë që ta pyesnin: «Kush je ti?». 20 Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti». 21 Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo». 22 Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t’u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç’thua për veten tënde?». 23 Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin!». Kështu kishte thënë edhe profeti Isai.

24 Të dërguarit ishin nga farisenjtë. 25 Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia e as profeti, atëherë, përse pagëzon?». 26 Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni. 27 Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh lidhëset e sandaleve». 28 Të gjitha këto ndodhën në Betani, në anën tjetër të lumit Jordan, ku Gjoni po pagëzonte.

Qengji i Perëndisë

29 Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës! 30 Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”. 31 Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t’ia zbuloj Izraelit».

32 Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të. 33 Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”. 34 Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë».

Dishepujt e parë

35 Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij 36 dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!». 37 Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit. 38 Jezui u kthye e kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi, “që do të thotë mësues”, ku banon?». 39 Jezui u tha: «Ejani e shihni!». Ata shkuan, panë ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites.

40 Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni. 41 Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, e i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin. 42 Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb.

Thirrja e Filipit dhe Natanaelit

43 Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin e i tha: «Më ndiq!». 44 Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas e i Pjetrit. 45 Filipi gjeti Natanaelin e i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, birin e Jozefit». 46 Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?». «Eja e shih!», iu përgjigj Filipi. 47 Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij e tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!». 48 Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?». Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi». 49 Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!». 50 Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!». 51 Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut».


 a1.5 ose: nuk e kuptoi