1 Më mirë një kafshatë e thatë me qetësi,
se një shtëpi plot gosti e grindje.
2 Shërbëtori i mençur e sundon birin që turpëron,
ai do të marrë trashëgiminë ndër vëllezër.
3 Për argjendin është shkritorja e për arin furra,
por zemrat i sprovon Zoti.
4 Keqbërësi u vë mend fjalëve të mbrapshta,
gënjeshtari i vë vesh gjuhës rrënimtare.
5 Kush tallet me skamnorin, fyen krijuesin e tij,
kush gëzohet me kobin nuk mbetet pa ndëshkuar.
6 Kurora e pleqve janë bijtë e bijve,
nderi i bijve janë prindërit e tyre.
7 Të pamendit s’i shkon e folmja e zgjedhur
e aq më pak të fismit gjuha gënjeshtare.
8 Dhurata është gur fati për të zotin,
ngado që të shkojë, përparon.
9 Kush e harron fajin, kërkon miqësi,
kush e ritregon, e përçan mikun.
10 Një qortim zë vend te një i mençur
më shumë se njëqind të rrahura te një i marrë.
11 I ligu kërkon vetëm grindje,
ndaj do t’i dërgohet një lajmës mizor.
12 Më mirë të hasësh arushën që i kanë rrëmbyer të vegjlit,
sesa të marrin në çartjen e tij.
13 Atij që e kthen të mirën me të keqe,
e keqja s’do t’i hiqet nga shtëpia.
14 Fillimi i grindjes është si e çara që hap uji,
lëre zënkën para se të shpërthejë.
15 Shfajësimi i të paudhit e dënimi i të drejtit,
të dyja këto i neveriten Zotit.
16 Ç’duhen paratë në dorën e të marrit?
Për të blerë urtinë kur nuk ka mend?
17 Miku është i dashur në çdo kohë;
vëllai ka lindur për kohë të vështirë.gj
18 Është i pamend kush shtrëngon dorën
e hyn dorëzanë te i afërti i vet.
19 Kush do grindjen, do mëkatin;
kush e mban veten për derë të madhe, kërkon rrënimin.
20 Kush është zemërlig, nuk do të gjejë mirë;
kush është gjuhëgjarpër, do ta zërë e keqja.
21 Kush lind një të marrë, e lind për të zezë të vet;
i ati i të shkalluarit nuk do të gëzojë.
22 Zemra e hareshme balsam për shëndetin,
shpirti i këputur than eshtrat.
23 I paudhi merr dhurata nën dorë
për të dredhuar shtigjet e drejtësisë.
24 Njeriu i mençur e mban parasysh urtinë,
por sytë e të marrit enden nëpër skajet e tokës.
25 Një djalë i marrë është brengë për të atin
e hidhërim për gruan që e lindi.
26 Nuk është mirë të gjobitësh të drejtin
apo të ndëshkosh të fismin kur është në të drejtë.
27 Kush flet pak, di shumë,
kush sundon veten, është i mençur.
28 Po të heshtte, edhe i marri do të dukej i urtë,
i mprehtë, po të mbante gojën.