Thesari në enë balte
1 Prandaj nuk ligështohemi, sepse Perëndia na e dha këtë shërbesë prej mëshirës së tij. 2 Ne i kemi mohuar gjërat e fshehta e të turpshme. Nuk jetojmë me dinakëri dhe nuk e shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, ne e shfaqim të vërtetën dhe kështu e dorëzojmë veten para gjykimitb të njerëzve e para Perëndisë. 3 Edhe po të jetë i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për ata që shkojnë në humbje.
4 Atyre që nuk besojnë, ua ka verbuar mendjen perëndia i kësaj bote, i cili nuk i lejon të shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë. 5 Në të vërtetë, ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin Zot, dhe e quajmë veten shërbëtorët tuaj për hir të Jezuit. 6 Sepse Perëndia ka thënë: «Le të ndriçojë drita në errësirë!». Ai i ka ndriçuar zemrat tona për të na dhënë dritë, që të njohim lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.
7 Por ne i mbajmë këto thesare brenda vetes si në enë balte, që të duket qartë se kjo fuqi madhështore vjen prej Perëndisë e jo prej nesh. 8 Megjithëse na mundojnë nga çdo anë, nuk ligështohemi. Jemi të pështjelluar, por nuk dëshpërohemi. 9 Na përndjekin, por Perëndia nuk na braktis. Na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund. 10 Ne mbartim gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë. 11 Ne vërtetë jemi gjallë, por në çdo çast i dorëzohemi vdekjes për hir të Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë të vdekshëm. 12 Kështu, ne na kërcënon vdekja, ndërsa ju fitoni jetën.
13 Por ne kemi të njëjtin shpirt të besimit, sikurse është shkruar: besova, prandaj fola. Edhe ne besojmë, prandaj flasim, 14 sepse e dimë se ai që e ngjalli Zotin Jezu, do të na ngjallë edhe ne me Jezuin e bashkë me ju do të na paraqesë para vetes. 15 Gjithçka bëhet për ju, në mënyrë që sa më shumë njerëz të pranojnë hirin e Perëndisë dhe ta falënderojnë gjithnjë e më shumë atë e t’i japin lavdi.
Jetojmë përmes besimit
16 Prandaj nuk ligështohemi. Megjithëse së jashtmi shkojmë drejt kalbjes, nga brenda përtërihemi dita-ditës. 17 Ky pikëllim i lehtë që po kalojmë tani po na përgatit për një lavdi të pashoqe, të begatë e të amshuar. 18 Ne nuk jemi përqendruar te gjërat që duken, por tek ato që nuk duken, sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, ndërsa të padukshmet janë të amshuara.