Beteja e Meromit
1 Jabini, mbreti i Hacorit, dëgjoi për këto e i dërgoi fjalë Jobabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit, mbretit të Akshafit 2 e të gjithë mbretërve që banonin në krahinat malore të veriut, në Arabah në jug të Kineretit, në ultësirat fushore e në lartësitë e Dorit në perëndim, 3 kananitëve në lindje e në perëndim, amoritëve, hititëve, perizitëve, jebusitëve, në krahinën malore, e hivitëve, rrëzë malit të Hermon, në vendin e Micpahut. 4 Atëherë ata dolën me gjithë ushtrinë e tyre, turmë e madhe luftëtarësh, sa rëra e bregut të detit, me kuaj e qerre me shumicë. 5 Mbretërit u bënë bashkë e fushuan pranë ujërave të Meromit, për të sulmuar Izraelin.
6 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: «Mos ki frikë prej tyre, se nesër si në këtë orë kam për të t’i dorëzuar të gjithë ty, që t’i shfarosësh në prani të Izraelit. Kuajve të tyre do t’u presësh leqet e këmbëve e qerret e tyre do t’i djegësh në zjarr». 7 Jozuehu e të gjithë luftëtarët që ishin me të, mbërritën papritur në ujërat e Meromit e i sulmuan. 8 Zoti ia dorëzoi armiqtë izraelitëve. Izraelitët i sulmuan e i ndoqën deri në Sidonin e Madh, deri në ujërat e Misrepotit dhe në luginën e Micpahut në lindje. I goditën derisa nuk mbeti gjallë asnjë. 9 Jozuehu veproi me ta ashtu siç i kishte thënë Zoti. Kuajve të tyre u preu leqet e këmbëve e qerret e tyre i dogji në zjarr.
10 Në atë kohë, Jozuehu u kthye dhe pushtoi Hacorin. Mbretin e Hacorit e vrau me shpatë. Hacori kishte qenë dikur kryeqyteti i të gjitha këtyre mbretërive. 11 Izraelitët kaluan në teh të shpatës e shfarosën të gjithë banorët e tij. Në Hacor nuk mbeti gjallë askush e qyteti u dogj flakë. 12 Jozuehu i pushtoi të gjitha qytetet e zuri robër të gjithë mbretërit. I kaloi të gjithë në teh të shpatës e i shfarosi, siç e kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit. 13 Por qytetet e ndërtuara mbi kodrina nuk i dogji, përveç Hacorit, që e bëri shkrumb. 14 Izraelitët morën për vete gjithë plaçkën e qytetit e bagëtitë, por njerëzit i kaluan të gjithë në teh të shpatës e i shfarosën, derisa nuk mbeti gjallë njeri. 15 Moisiu i kishte urdhëruar Jozuehut çka i kishte urdhëruar Zoti. Jozuehu bëri gjithçka i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.
Jozuehu pushton gjithë vendin
16 Jozuehu e pushtoi tërë krahinën malore, tërë Negevin, tërë krahinën e Goshenit, ultësirën, Arabahun, malësinë e ultësirën e Izraelit, 17 që prej malit Halak, që shtrihet në drejtim të Seirit, e deri në Baal Gad, në luginën e Libanit, rrëzë malit Hermon. Ai i zuri rob të gjithë mbretërit e këtyre trojeve, i goditi e i vrau. 18 Jozuehu luftoi për shumë kohë kundër këtyre mbretërve. 19 Asnjë qytet nuk bëri paqe me izraelitët, përveç hivitëve, që banonin në Gibeon. Të gjitha qytetet e tjera i pushtuan me luftë, 20 se Zoti i ngurtësoi zemrat e tyre, që të luftonin kundër Izraelit. Kështu, ata u bënë pre e shkatërrimit të pamëshirshëm dhe e shfarosjes së plotë, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
21 Po në atë kohë, Jozuehu marshoi për të shfarosur anakitët, që banonin nëpër male, në Hebron, në Debir, në Anab, dhe nëpër të gjithë malësinë e Judës e të Izraelit. Ai i shkatërroi të gjitha qytetet e tyre. 22 Nuk la gjallë asnjë anakit në tokën e Izraelit, përveçse në Gazë, në Gat e në Ashdod. 23 Jozuehu e pushtoi tërë vendin, siç i kishte thënë Zoti Moisiut, e ia dha për trashëgim izraelitëve sipas ndarjeve në fise. Kështu, vendi ishte në paqe e nuk pati më luftë.