1 Kronikave 14

Familja e Davidit

Hirami, mbreti i Tirit, i dërgoi Davidit lajmëtarë, drurë cedri, muratorë e marangozë, për t’i ndërtuar shtëpinë. Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte caktuar mbret të Izraelit dhe se mbretëria e tij ishte lartësuar për hir të popullit të tij, Izraelit.

Davidi mori të tjera gra në Jerusalem e lindi bij e bija të tjera. Këta janë emrat e atyre që i lindën në Jerusalem: Shamuai, Shobabi, Natani, Solomoni, Ibhari, Elishuai, Elifeleti, Nogahu, Nefegu, Jafiai, Elishamai, Beeliadai dhe Elifeleti.

Shpartallimi i filistinëve

Kur filistinët e morën vesh se Davidi ishte vajosur mbret mbi mbarë Izraelin, të gjithë shkuan për ta kërkuar Davidin. Davidi e mori vesh e u doli para. Filistinët mbërritën dhe zaptuan luginën e Refaimit. 10 Davidi u këshillua me Perëndinë e tha: «A duhet të dal kundër filistinëve? A do të m’i lësh në dorë?». Zoti iu përgjigj: «Dil e do të t’i lë në dorë». 11 Ata u ngjitën në Baal Peracim dhe Davidi i mundi aty. Davidi tha: «Perëndia i çau armiqtë e mi me dorën time, siç çahet uji». Prandaj ai vend quhet Baal Peracim. 12 Ata i lanë aty idhujt e tyre, por Davidi urdhëroi të digjeshin në zjarr.

13 Atëherë filistinët e mësynë përsëri luginën. 14 Davidi u këshillua sërish me Perëndinë dhe Perëndia i tha: «Mos shko pas tyre. Sillu rrotull e dilu para nga Bekaimi. 15 Kur të dëgjosh zhurmën e rreshtores në majat e Bekaimit, dil në betejë, sepse Perëndia do të dalë para teje, për ta goditur fushimin e filistinëve». 16 Davidi bëri siç e urdhëroi Perëndia dhe e shpartalluan fushimin e filistinëve nga Gibeoni në Gezer. 17 Emri i Davidit mori dhenë dhe Zoti i bëri të gjithë popujt t’ia kishin frikën.