Alef
1 Njeriu që e pa mjerimin, jam unë,
nën shkopin e zemërimit të tij.
Alef
2 Ai më shtyu e më endi
në errësirën pa dritë.
Alef
3 Ai e ktheu dorën e tij
gjithmonë veç kundër meje.
Bet
4 Blojë m’i bëri eshtrat,
më shkretoi mish e lëkurë.
Bet
5 Bëri ledhe kundër meje,
helm e stërmundim.
Bet
6 Brenda errësirës më vendosi,
si të vdekurit e kahershëm.
Gimel
7 Gardh ngriti rreth meje e dot nuk dal,
më hodhi vargonj të rëndë.
Gimel
8 Gërthas e kërkoj ndihmë,
por prapë ma hedh poshtë lutjen.
Gimel
9 Gurë të latuar vuri për të m’i mbyllur rrugët,
shtigjet m’i dredhoi.
Dalet
10 Doli kundër meje si ariu në pritë,
si luan i fshehur.
Dalet
11 Drejtimin ma humbi,
më shqeu e më shkretoi.
Dalet
12 Drejtoi harkun e vet
e më bëri shënjestër për shigjetë.
He
13 Hodhi kundër veshkave të mia
shigjetat e kukurës së vet.
He
14 Habia e popullit tim u bëra,
këngë qesëndie për ta tërë kohën.
He
15 Hidhërime më dha sa u ngiva,
më dehu me pelin.
Vau
16 Varrë m’i bëri dhëmbët me gurë,
me shtiu në hi.
Vau
17 Vërtiti larg paqen nga shpirti im,
e kam harruar mirësinë.
Vau
18 «Venitet pritshmëria ime», thashë,
«Ardhmëria që do të vinte prej Zotit».
Zain
19 Zë e kujtoj pikëllimin dhe endjen time,
si të ishin pelin e helm.
Zain
20 Zaliset shpirti im,
kur kujton e kujton.
Zain
21 Ziejnë në zemrën time këto gjëra,
prandaj kam shpresë:
Het
22 «Hiri i mirësisë së Zotit nuk shterohet,
s’ka fund mëshira e tij.
Het
23 Herët në mëngjes përtërihen,
e madhe është besnikëria e tij.
Het
24 “Hisja ime është Zoti”, thotë shpirti im,
“Prandaj edhe shpresoj në të”».
Tet
25 Tregohet i mirë Zoti
për ata që shpresojnë në të,
për ata që e kërkojnë me shpirt.
Tet
26 Të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit
është gjë e mirë.
Tet
27 Të mbartë zgjedhën që në rini
është gjë e mirë për një burrë.
Jod
28 Jetën ta kalojë i vetmuar e i heshtur
ai që Zoti e ka rënduar.
Jod
29 Ja, ta ulë fytyrën gjer në pluhur,
se mbase ka shpresë.
Jod
30 Ja, t’ia kthejë faqen ndëshkuesit,
të dendet me poshtërime.
Kaf
31 Kurrë Zoti
nuk përjashton përgjithmonë.
Kaf
32 Ka mëshirë sipas mirësisë së tij të madhe
edhe nëse ndëshkon.
Kaf
33 Kurrë nuk e çon pikëllimin me gjithë zemër,
as i poshtëron njerëzit.
Lamed
34 Le të shtypen me këmbë
të gjithë të burgosurit e tokës,
Lamed
35 le t’i shtrembërohet e drejta njeriut
para të Tejlartit,
Lamed
36 le t’i përmbyset çështja njeriut,
a nuk shikon Zoti?
Mem
37 Mos dikush flet e ajo gjë bëhet
pa e urdhëruar Zoti?
Mem
38 Mirësitë e ligësitë a nuk dalin
prej gojës së të Tejlartit?
Mem
39 Mos të ankohet asnjë njeri i gjallë
pse i ndëshkohen mëkatet.
Nun
40 Ne duhet t’i shqyrtojmë sjelljet tona,
t’i peshojmë e të kthehemi te Zoti.
Nun
41 Kah Perëndia në qiell
t’i ngremë zemrat e duart.
Nun
42 Ne bëmë shkelje e kryeneçësi,
ti nuk e dhe faljen.
Samek
43 S’na përdëlleve, por na vrave,
na përndoqe i mbështjellë me zemërim.
Samek
44 Sajove një re rreth teje
që nuk e shpon as lutja.
Samek
45 Stërvinë e mbeturinë na bëre
në mes të popujve.
Fe
46 Fshajnë me gojë kundër nesh
të gjithë armiqtë tanë.
Fe
47 Frika e gropa na zunë,
rrënimi e dërrmimi.
Fe
48 Furi lotësh më rrjedhin nga sytë
për thyerjen e bijës së popullit tim.
Ain
49 Ajohen sytë e mi pa ndalur,
se nuk ka pushim,
Ain
50 aq kohë sa Zoti të mos këqyrë
e të shikojë nga qielli.
Ain
51 Angështohet shpirti im kur shoh me sy
bijat e qytetit tim.
Cade
52 Cytësit e mi pa shkak
më gjuajnë siç gjuhet shpendi.
Cade
53 Copë ma bënë jetën,
më mbytën në pus, më gjuajtën me gurë.
Cade
54 Currila uji më vërshuan mbi kokë
e thashë: «Mbarova!».
Kof
55 Kërkova emrin tënd, o Zot,
nga thellësitë e honit.
Kof
56 Klithmën time e dëgjove: «Mos i mbyll veshët
ndaj psherëtimës e britmës sime».
Kof
57 Kur të thirra, ti u afrove
e the: «Mos ki frikë!».
Resh
58 Rastin tim, o Zot, ti e mbrojte,
ma shpagove jetën.
Resh
59 Rrengun që më bënë e pe, o Zot:
gjykoje çështjen time!
Resh
60 Ra në sytë e tu tërë hakmarrja e tyre,
tërë shestimet e tyre kundër meje.
Sin
61 Sharjen e tyre e dëgjove, o Zot,
dhe tërë shestimet e tyre kundër meje.
Sin
62 Shfrejnë kundër meje gjithë ditën
buzët e kundërshtarëve të mi.
Sin
63 Shikoi kur ulen e kur ngrihen,
unë jam shpotia e tyre.
Tau
64 Ti jepua shpërblimin, o Zot,
sipas veprave të duarve të tyre.
Tau
65 Topitua zemrën,
lëshoju mallkimin.
Tau
66 Tërë zemërim përndiqi e rrënoji
nën qiellin e Zotit.