Arka e Besëlidhjes
1 Davidi i mblodhi sërish të gjithë të përzgjedhurit e Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë vetë, 2 dhe shkoi bashkë me tërë popullin që ishte me të në Baalah të Judës, për të sjellë që andej arkën e Perëndisë që mbante emrin e Zotit të ushtrive, i cili rri mbi kerubë. 3 Arkën e Perëndisë e mbartën me një karrocë të re. E sollën nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Karrocën e re e ngisnin Uzai dhe Ahioi, bijtë e Abinadabit, 4 dhe e sollën bashkë me arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Ahioi i printe arkës. 5 Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit ngazëlleheshin fort para Zotit, me këngë, qeste, harpa, dajre, zilka dhe cimbale.
6 Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën e Perëndisë, sepse qetë gati u penguan, 7 mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i Zotit dhe e goditi atje, sepse tregoi guxim të tepruar, prandaj dhe vdiq në vend, pranë arkës së Perëndisë. 8 Davidi u mërzit që Zoti e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah siç quhet edhe sot e kësaj dite. 9 Atë ditë Davidi pati frikë nga Zoti e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e Zotit?». 10 Prandaj Davidi nuk deshi ta merrte me vete arkën e Zotit në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. 11 Arka e Zotit ndenji tre muaj në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Zoti e bekoi shtëpinë e tij dhe gjithçka në të.
12 Mbretin David e lajmëruan e i thanë: «Zoti e ka bekuar shtëpinë e Obed Edomit me gjithë ç’ka, për hir të arkës së Perëndisë». Atëherë Davidi shkoi dhe e solli me gëzim arkën e Perëndisë nga shtëpia e Obed Edomit te Qyteti i Davidit. 13 Pasi ata që mbartnin arkën e Zotit bënë gjashtë hapa, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. 14 Davidi vallëzonte me gjithë shpirt para Zotit. Ai kishte veshur një efod të linjtë. 15 Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit e sollën arkën e Zotit me brohoritje dhe me tingujt e bririt.
16 Kur arka e Zotit mbërriti në Qytetin e Davidit, Mikala, bija e Saulit, që po përgjonte nga dritarja, pa mbretin David duke kërcyer e vallëzuar para Zotit dhe e përçmoi në zemrën e vet.
17 Arkën e Zotit e sollën dhe e vendosën në vendin e vet, në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj Davidi kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi para Zotit. 18 Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit dhe të paqtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive 19 dhe i shpërndau gjithë popullit, të gjithë turmave të Izraelit, burra e gra, nga një copë bukë, nga një kulaç hurmash dhe nga një kulaç rrushi të thatë. Pastaj i gjithë populli u kthye në shtëpinë e vet.
20 Kur Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet, Mikala, bija e Saulit, i doli para e i tha: «Çfarë nderi ishte ky sot për mbretin e Izraelit që u zhvesh para syve të shërbëtoreve dhe shërbëtorëve të tij, si të ishte një njeri i rëndomtë?». 21 Davidi i tha Mikalës: «E bëra para Zotit që më zgjodhi në vend të atit tënd dhe shtëpisë tënde për të më vënë prijës mbi popullin e Zotit, Izraelin. Po, para Zotit do të lodroj! 22 Do ta përçmoj dhe poshtëroj veten edhe më shumë, por shërbëtoret, për të cilat fole, do të më nderojnë». 23 Mikala, bija e Saulit, vdiq pa lënë fëmijë.