1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 O Zot, me fuqinë tënde gëzon mbreti,
sa shumë ngazëllen për shpëtimin tënd.
3 Dëshirën e zemrës ia plotësove,
lutjen e buzëve të tij nuk e përbuze. selah
4 Me bekime mirësie e prite,
mbi kokë i vure kurorë ari të kulluar.
5 Të kërkoi jetë e ia dhe,
ditë të shumta në amshim.
6 E madhe është lavdia e tij falë shpëtimit tënd,
me shkëlqim e madhështi e stolise atë.
7 Ti i jep bekime përjetë,
e mbush me gëzimin e pranisë sate.
8 Se mbreti ka besim te Zoti
dhe falë mirësisë së të Tejlartit nuk do të lëkundet.
9 Dora jote do t’i kapë tërë armiqtë e tu,
e djathta jote do t’i zërë ata që të urrejnë.
10 Do t’i hedhësh në furrën e zjarrit kur të shfaqesh,
Zoti do t’i përpijë tërë zemërim
e zjarri do t’i përlajë.
11 Farën e tyre do ta zhbish nga dheu,
pasardhësit e tyre nga njerëzit.
12 Kanë kurdisur ligësi kundër teje,
sajuan plane, por s’do t’ia dalin.
13 Do t’i bësh të kthehen pas,
harkun do ta drejtosh kundër tyre.
14 Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde,
do t’i këndojmë e do t’i thurim himne pushtetit tënd.