Kënga e këngëve 7

Mikeshat

d Kthehu, o shulamite, kthehu!

Kthehu, të të kundrojmë, kthehu!

Ç’t’i kundroni shulamites

që është si vallja mes dy fushimesh?

Ai

Sa të hijshme i ke këmbët në sandale,

o bijë fisnikësh!

Vijat e ijëve të tua porsi stoli,

vepër kryemjeshtërore.

Kërthiza jote si kupë e rrumbullt

që s’mbetet kurrë pa verë erëmirë.

Barku yt porsi pirg gruri

me lilakë rrethuar.

Dy gjinjtë e tu si dy kaproj

binjakë të drenushës.

Qafa jote si kullë fildishi,

sytë e ty si pellgjet e Heshbonit

te porta e Bat Rabimit.

Hunda jote si kullë Libani

me pamje nga Damasku.

Kokën si Karmeli e ke

e flokët porsi purpur,

në gërsheta një mbret u zu.

Sa e bukur je e sa e hirshme,

o dashuri, e tëra kënaqësi.

Shtati yt porsi palma,

porsi vile gjinjtë e tu.

Thashë me vete:

«Do t’i ngjitem palmës

e do t’ia vjel unë vilet».

Qofshin gjinjtë e tu

si vile rrushi

e porsi era e mollës,

era e frymës sate.

10 Qiellza jote si vera më e mirë

që rrjedh këndshëm

e rrëshqet lëmuar

ndër buzë e ndër dhëmbë.

Ajo

11 Unë i përkas të shtrenjtit tim

e ai fort më dëshiron.

12 Eja, o i shtrenjti im,

të dalim ndër fusha,

të bujmë ndër katunde.

13 Të shkojmë herët ndër vreshta,

të shohim a çeli hardhia,

a shpërtheu sythi,

a lulëzuan shegët.

Atje dashurinë time

ty do të ta dhuroj.

14 Madërgonat lëshojnë erë,

te dera e shtëpisë çdo të mirë kemi,

të re e të vjetër.

Për ty i kam ruajtur,

o i shtrenjti im.


 d7.1 të tjerë e rendisin si 6.13