Hosea 4

Zoti padit Izraelin

«Dëgjojeni fjalën e Zotit, o bijtë e Izraelit,

Zoti po ngre padi kundër banorëve të tokës,

se nuk ka në tokë

as besnikëri, as mirësi

e as njohuri për Perëndinë.

Mallkimet, mashtrimet, vrasjet,

vjedhjet e kurorëshkeljet kanë marrë dhenë,

gjaku e gjakderdhjet nuk kanë të sosur.

Ndaj toka vajton

e tërë banorët e saj mpaken,

kafshët e fushës, shpendët e qiellit

madje edhe peshqit e detit marrin fund.

Por, askush të mos ngrejë padi,

askush të mos bëj kallëzim,

se padia ime është kundër teje, o priftd.

Gjatë ditës do të pengohesh,

gjatë natës edhe profeti bashkë me ty.

Nënën tënde do ta zhbij!

Populli im u zhbi prej padijes,

se ti e përbuze njohurinë,

ndaj dhe unë priftërinë do të ta përbuz.

E harrove ligjin e Perëndisë tënd,

ndaj dhe unë do t’i harroj bijtë e tu.

Sa më shumë shtohen,

aq më tepër mëkatojnë kundër meje.

Nderin do t’ua kthej në turp.

Ushqehen me mëkatin e popullit tim,

lakmojnë fajin e tij.

Ndaj, edhe priftin si popullin

do ta ndëshkoj për udhën që ndoqi,

veprat do t’ia shpërblej mirë.

10 Do të hanë, por s’do të ngihen,

do të kurvërohen, por s’do të shtohen,

se e harruan Zotin e iu dhanë kurvërisë.

11 Vera e mushti ia morën mendtë popullit tim.

12 Këshillohet me një copë dru

e dëgjon një shkop,

se kurvëria e mashtroi,

ndaj Perëndinë e vet tradhton.

13 Nëpër maja malesh bëjnë flijime,

djegin temjan nëpër kodra,

nën dushqe e plepa,

nën hijen e këndshme të lisave.

Kështu të kurvërohen bijat,

shkelin kurorën nuset e tua.

14 Por, bijat nuk do të t’i ndëshkoj për kurvëri,

as nuset e tua për kurorëshkelje,

sepse ata vetë shkojnë me lavire,

me laviret e kultit kushtojnë fli.

E populli i pamend rrënohet.

15 O Izrael, nëse kryen kurvëri,

mos e bëj edhe Judën me faj!

Mos shkoni në Gilgal,

mos u ngjitni në Bet Aven,

as mos u betoni për Zotin e gjallë!

16 Izraeli u bë kokëfortë,

porsi lopa kryeneçe,

ndaj Zoti do t’i kullotë

si dhentë nëpër livadhe.

17 Lëreni Efraimin,

se u lidh pas idhujve!

18 Pijet i shteroi,

u harbua e kurvëroi,

prijësit e tij të shfrenuar

u dashuruan pas turpit.

19 Furtuna do t’i rrëmbejë në krahët e veta,

do të turpërohen për flijimet që kryen».


 d4.4 ose: populli yt u bë si ai që padit priftin