Ezekieli 32

Vajtim për Faraonin

Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, në ditën e parë të muajit, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, merrja vajit për faraonin, mbretin e Egjiptit, e thuaji:

si luani i kombeve ngjasoje,

ishe si përbindëshi në det,

vërsuleshe nëpër lumenjtë e tu,

i turbulloje ujërat me këmbë

e ua ndotje lumenjtë.

Kështu thotë Zoti im, Zoti:

do ta ndeh rrjetën time mbi ty,

me bashkësinë e shumë popujve,

e ata do të të ngrenë me rrjetën time.

Do të të hedh përtokë,

në arë do të të plandos,

do të vendoj në ty të gjithë shpendët e qiellit,

do të ngopen me ty gjallesat e mbarë dheut.

Do ta përhap nëpër male mishin tënd,

do t’i mbush luginat me kërmën tënde.

Do ta vel tokën gjer në mal

me çurgun e gjakut tënd

e përrenjtë do të mbushen prej teje.

Pasi të jesh shuar, do ta mbuloj qiellin,

do t’ia errësoj yjet.

Diellin me re do ta mbuloj

e hëna nuk do të bëjë më dritë.

Të gjithë dritëdhënësit e qiellit

do t’i terratis mbi ty

e do të pllakos errësirën në dheun tënd,

kumton Zoti im, Zoti.

Do t’ua trazoj zemrën shumë popujve, kur t’u jap lajmin e rrënimit tënd kombeve, vendeve që nuk i ke njohur. 10 Do të çorodit shumë popuj për shkakun tënd. Mbretërit e tyre do të dridhen për shkakun tënd, kur ta vringëlloj shpatën para tyre. Do të tranden pareshtur, secili për jetën e vet, ditën e shembjes sate.

11 Se kështu thotë Zoti im, Zoti: shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ju. 12 Turmën tënde do ta rrëzoj me shpatën e trimave, të gjithë prej kombeve mizore.

Do ta shkretojnë krenarinë e Egjiptit

e do të shkretohet tërë turma e tij.

13 Do t’ia shkatërroj të gjitha bagëtitë

ndanë ujërave të begata.

Nuk do t’i turbullojë më këmbë njeriu,

as thundrat e kafshëve nuk do t’i turbullojnë.

14 Atëherë do t’ua kthjelloj ujërat

e lumenjtë e tyre si vaji do të rrëshqasin,

kumton Zoti im, Zoti.

15 Kur ta kem shkretuar dheun e Egjiptit,

kur të jetë shkretuar dheu nga gjithçka që e mbushte,

kur të kem goditur të gjithë banorët e tij,

do ta marrin vesh se unë jam Zoti.

16 Ky është vajtim e do të vajtohet. Bijat e kombeve do ta vajtojnë. Mbi Egjiptin e mbarë turmën e tij do ta vajtojnë, kumton Zoti im, Zoti.

17 Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 18 bir i njeriut, vajto mbi turmën e Egjiptit e jepu tatëpjetën drejt nëndheut bashkë me ata që zbresin në gropë, atij e bijave të kombeve të fuqishme.

19 Më i bukur se kush qenke ti?

Zbrit e prehu me të parrethprerët.

20 Do të bien mes të therurve me shpatë. U zhvesh shpata. Goditeni me mbarë turmën e tij. 21 Prijësit guximtarë, në mes të skëterrës, do të thonë për të e për ndihmësit: kanë zbritur e janë prehur të parrethprerët dhe të therurit me shpatë.

22 Aty është Asiria, me tërë hordhinë e vet. Rreth e rrotull i ka varret. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës. 23 Varret e saj janë vënë në skaj të gropës dhe hordhitë i ka rreth varrit. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës që kall datën në dheun e të gjallëve.

24 Aty është Elami, me turmën rreth varrit të vet. Të gjithë janë therur, kanë rënë prej shpatës. Zbritën në nëntokë me të parrethprerët që kallin datën në dheun e të gjallëve. Mbartin turpin e vet me ata që zbresin në gropë. 25 Mes të therurve ia vunë shtrojën, me mbarë turmën, me varret përreth. Të gjithë të parrethprerë, të rënë prej shpatës. Se i kallën datën tokës së të gjallëve dhe mbartin turpin e vet me ata që zbresin në gropë. Mes të therurve janë vendosur.

26 Aty është Meshek Tubali dhe tërë turma e tij me varret përreth. Të gjithë të parrethprerë, të rënë prej shpatës, se i kallën datën dheut të të gjallëve. 27 Nuk prehen me heronjtë ata që ranë prej të parrethprerëve, që zbritën në skëterrë me armët e luftës. Shpatat ua vunë nën kokë dhe ligësinë kishin nëpër eshtra, se i kallën datën dheut të të gjallëve. 28 Edhe ti do të prehesh me të parrethprerët, me të rënët prej shpatës.

29 Atje është Edomi, mbretërit e tërë princat e tij. Ata prehen me të therurit me shpatë, me të parrethprerët dhe me ata që zbresin në gropë, ndonëse ishin të fuqishëm. 30 Atje janë, të turpëruar, mbarë udhëheqësit e veriut e mbarë sidonasit, që zbritën me të therurit, për shkak të tmerrit që shkaktuan me fuqinë e tyre. Prehen me të parrethprerët, me të therurit me shpatë, dhe mbartin turpin e atyre që zbresin në gropë.

31 Faraoni do t’i shohë e do të ngushëllohet me tërë këtë turmë, faraoni dhe mbarë ushtria e tij, të therur me shpatë, kumton Zoti im, Zoti32 se ia kalla datën dheut të të gjallëve. Faraoni me tërë turmën e tij prehet mes të parrethprerëve, me të therurit me shpatë, kumton Zoti im, Zoti».