Dëbimi i të huajve
1 Në atë kohë u lexua para popullit libri i Moisiut, ku u gjet e shkruar se amoniti e moabiti nuk mund të hyjnë kurrë në bashkësinë e Perëndisë, 2 se nuk u kishin dalë para izraelitëve me bukë e ujë, por kishin mëditur kundër tyre Balaamin, që t’i mallkonte, megjithëse Perëndia ynë e pati kthyer mallkimin në bekim. 3 Kur populli e dëgjoi ligjin, i ndanë nga Izraeli të gjithë ata që kishin tjetër prejardhje.
Zemërimi i Nehemisë
4 Para këtyre ngjarjeve, prifti Eliashib, që ishte caktuar përgjegjës i qilarit të tempullit të Perëndisë tonë e ishte i afërm i Tobisë, 5 i kishte dhënë këtij një qilar të madh, në të cilën më parë vendosnin grurin e kushtuar, temjanin, enët, të dhjetën e grurit, verën e vajin, që ishte urdhëruar t’u jepeshin levitëve, këngëtarëve e derëtarëve, si edhe pjesën që u takonte priftërinjve. 6 Kur ndodhën të gjitha këto, unë nuk gjendesha në Jerusalem, sepse në vitin e tridhjetë e dytë të Artakserksit, mbretit të Babilonisë, kisha shkuar te mbreti. Pas njëfarë kohe i kërkova leje mbretit, 7 shkova në Jerusalem dhe u njoha me të keqen që kishte bërë Eliashibi në dobi të Tobisë, duke i dhënë një qilar në tremet e tempullit të Perëndisë. 8 U hidhërova shumë e i flaka të gjitha enët e shtëpisë së Tobisë jashtë qilarit. 9 Pastaj u urdhërova t’i pastronin qilarët dhe ktheva aty enët e tempullit të Perëndisë, grurin e kushtuar e temjanin.
10 Mora vesh edhe se levitëve nuk u ishte dhënë pjesa që u takonte, prandaj levitët e këngëtarët, që duhej të kryenin shërbesën, ishin kthyer me vrap secili në vendin e vet. 11 Atëherë i qortova zyrtarët e u thashë: «Pse është lënë pas dore tempulli i Perëndisë?». Pastaj i mblodha levitët dhe këngëtarët e i vura në detyrën e vet. 12 Të gjithë judenjtë sollën në thesar të dhjetën e grurit, verën e re e vajin e ri. 13 Unë caktova përgjegjës të thesareve priftin Shelemiah, shkruesin Cadok e Pedajahun prej levitëve e ndihmës Hananin, birin e Zakurit, të birit të Matanjahut, sepse ishin të besueshëm. Ata e kishin për detyrë t’i ndanin gjërat me vëllezërit.
14 Kujtomë për këtë, o Perëndia im, e mos e zhbëj të mirën që bëra në tempullin e Perëndisë tim e në shërbim të tij.
E shtuna
15 Ato ditë pashë në Judë njerëz që shtrydhnin torkun të shtunën, mbartnin duaj gruri e i ngarkonin mbi gomarë, por edhe verë, rrush, fiq e gjithfarë ngarkese, që i sillnin në Jerusalem ditën e shtunë. Unë i kundërshtova atë ditë kur shitën ushqim. 16 Aty gjendeshin edhe disa banorë nga Tiri, të cilët sillnin peshk e gjithfarë malli për t’ua shitur izraelitëve të shtunën në Jerusalem. 17 Atëherë i qortova fisnikët e Judës e u thashë: «Ç’është kjo gjë e keqe që po bëni, duke përdhosur ditën e shtunë? 18 A nuk vepruan kështu edhe etërit tuaj? Prandaj Perëndia çoi tërë këtë zezonë mbi ne e mbi këtë qytet. Por ju, duke e përdhosur të shtunën, po e shtoni zemërimin kundër Izraelit».
19 Me të rënë muzgu mbi portat e Jerusalemit në prag të së shtunës, urdhërova të mbylleshin dyert e të mos hapeshin deri pas së shtunës, prandaj vura te portat disa nga shërbëtorët e mi, që të mos hynte brenda asnjë ngarkesë ditën e shtunë. 20 Një a dy herë tregtarët e shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën jashtë Jerusalemit. 21 Atëherë unë i qortova e u thashë: «Pse e kaloni natën te muri? Nëse veproni kështu, do të vë dorë mbi ju». Që prej asaj kohe nuk erdhën më të shtunën. 22 Pastaj u thashë levitëve të pastroheshin e të vinin të ruanin portat, për ta shenjtëruar ditën e shtunë.
Kujtomë edhe për këtë, o Perëndia im, e përdëllemë sipas mirësisë sate të madhe.
Ndalimi i martesave me të huajt
23 Po në atë kohë pashë se disa judenj ishin martuar me gra nga Ashdodi, nga Amoni e nga Moabi. 24 Gjysma e bijve të tyre flisnin gjuhën e Ashdodit e gjuhët e popujve të tjerë, por nuk ishin në gjendje të flisnin gjuhën e Judës. 25 Atëherë i qortova e i mallkova, disa prej tyre i rraha, u shkula flokët e i bëra të betoheshin në Perëndinë, që të mos ua jepnin bijat e veta bijve të tyre e të mos i merrnin bijat e tyre as për bijtë e vet e as për vete. 26 «A nuk mëkatoi kështu edhe Solomoni, mbreti i Izraelit? E pra, mes popujve të shumtë nuk pati mbret si ai. Perëndia e deshi dhe e bëri mbret mbi mbarë Izraelin, por edhe atë gratë e huaja e bënë të mëkatonte. 27 Nuk duam të dëgjojmë gjithë këtë gabim të madh tuajin. Nuk i ndenjët besnikë Perëndisë tonë e u martuat me gra të huaja».
28 Njëri prej bijve të Jojadait, të birit të kryepriftit Eliashib, ishte dhëndri i Sanbalat Horonitit, prandaj e dëbova larg meje. 29 «Kujtou, o Perëndia im, se ata e kanë përdhosur priftërinë dhe besëlidhjen e priftërinjve e të levitëve».
30 Kështu, i pastrova nga çdo gjë e huaj dhe caktova shërbesat e priftërinjve e të levitëve, sipas punëve të secilit. 31 Urdhërova edhe kushtimin e drurëve e të të lashtave në kohën e caktuar.
«Kujtomë për mirë, o Perëndia im!».