Levitiku 12

Për lehonat

Zoti  i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: kur gruaja shtatzënë lind djalë, ajo do të jetë e papastër për shtatë ditë, siç është e papastër edhe gjatë të përmuajshmeve. Ditën e tetë djali të rrethpritet, por ajo duhet të presë edhe tridhjetë e tri ditë për t’u pastruar nga gjaku i vet. Të mos prekë asgjë të shenjtë e të mos hyjë në shenjtërore, derisa të plotësojë ditët e pastrimit.

Nëse lind vajzë, ajo do të jetë e papastër për dy javë, si gjatë të përmuajshmeve. Të presë gjashtëdhjetë e gjashtë ditë për t’u pastruar nga gjaku i vet. Kur të jenë plotësuar ditët e pastrimit për lindjen e një djali apo të një vajze, të sjellë një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një zog pëllumbi ose një turtull si fli mëkati dhe t’ia japë priftit te hyrja e tendës së takimit. Prifti t’i kushtojë para Zotit për të bërë shlyerjen për të dhe ajo do të pastrohet prej gjakrrjedhjes. Ky është udhëzimi për gruan që lind djalë ose vajzë. Nëse nuk i ka mundësitë për të kushtuar një qengj, të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, njërin për flinë e shkrumbimit dhe tjetrin për flinë e mëkatit. Prifti të bëjë për të shlyerjen e ajo do të pastrohet».